Ambasadori i SHBA, Donald Lu, ka përsëritur sot ndoshta për të tretën herë brenda dy viteve të fundit, një fjalim të ashpër kundër botës së krimit në Shqipëri dhe detyrimit që ka drejtësia shqiptare, për të pastruar vendin prej saj. E ka bërë këtë rregullisht gjatë betejës së tij, edhe personale, për të arritur miratimin e reformës në drejtësi. E ka bërë sa herë reforma hynte në ngërç, sa herë politika dhe sidomos opozita, shpikte arsye për t’i ikur votimit të saj, dhe mbi të gjitha, sa herë që prokuroria apo gjykata i bashkohen aksionit anti-reformë. Dhe ka paguar një çmim për këtë. Letrat kundër tij në Uashington, nuk i “nxënë” më dosjet.
Kjo që bëri sot është e njëjta gjë. E bëri para magjistratëve të rinj, para atyre që do të jenë “kuajtë e betejës” së drejtësisë me krimin në Shqipëri.
Por ajo që është interesante në këtë histori, nuk janë deklaratat e ambasadorit Lu, por fakti që ai duartrokitet pas deklaratave nga të gjithë.
Edhe kur ka folur dy vjet apo një vit më parë me emra kundër Shullazit, Lul Berishës apo Balilit, është duartrokitur. Biles në një rast puna ka shkuar në ekstrem, sa ish-kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, kërkoi dhe mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare tek presidenti Nishani për të kërkuar kapjen e Balilit, i cili po rrezikonte sigurinë kombëtare.
E njëjta skenë po përsëritet. Dhe kjo ka një shpjegim thelbësor.
Klasa politike në Shqipëri, qeveria dhe opozita, e përdorën ambasadorin Lu si instrument për t’u ikur elementëve kriminalë që ishin investuar direkt në politikë. Pafuqia e liderëve politikë ndaj atij grupi, ishte shembullore. Po të mos fliste me emra ambasadori Lu, ata do t’i kishim sërish në politikë.
E njëjta gjë ndodh dhe tani. Fokusimi i ambasadorit Lu tek emra konkretë, janë piketa për drejtësinë, por dhe një apel i fortë për politikën që të mos mbështetet më tek elementë kriminalë, tek “të fortët” e getove të krimit në Shqipëri, dhe mbi të gjitha, të mos i përdorin ata për politikë.
Shteti shqiptar pas 27 vitesh është katandisur në atë pikë që politikanët kanë siklet para banditëve, për të mos thënë frikë, dhe nuk i zbojnë dot. Nuk është se janë aq djaj sa i bëjnë, dhe as aq ëngjëj sa duan të duken, por e vërteta është që janë të sikletosur të përballen me krimin dhe banditët e fortë të getove, pasi i kanë përdorur ata herë pas here në punët e tyre.
Ambasadori Lu është si një ngushëllim për ta, si një alibi e pafuqisë së tyre për t’i mbrojtur tani e tutje. Ndaj dhe ata ndjehen mirë që ai flet me emra. Biles mirë është t’i shtojë dhe ca. Kjo është arsyeja që nuk reagon askush kundër ambasadorit Lu, politikisht. Ca duartrokasin më shumë, se duan të ndjehen të larë, disa më pak, por të gjithë ndjehen mirë që doli një burrë më i fortë se ata, që u thotë “zhdukuni”!
Dhe kjo është shenjë e degradimit të politikës shqiptare në atë pikë, ku politika nuk është padrone e krimit, por më keq. Është e frustruar prej tij, pasi është e detyruar t’i shërbejë atij.
Thirrja e ambasadorit Lu është një shans për politikën, t’i japë fund kësaj historie. Ambasadori Lu për etikë diplomatike përmendi vetëm tre emra, pasi kërkon t’i referohet informacionit publik nga shtypi, por ajo që ndodh në Elbasan, është në total më e rëndë se tre emrat e marrë së bashku, pasi nuk ka të bëjë vetëm me pafuqinë e drejtësisë përballë tre njerëzve të inkriminuar, por me pafuqinë e politikës, për t’i treguar vendin krimit.
Beteja ndaj krimit nuk është vetëm punë shkresash, letrash, procedurash gjyqësore dhe procesesh penale. Është mbi të gjitha simbolike dhe betejë publike e politikës kundër krimit.
Për të vënë përpara krimin, duhet të bësh gjeste kundër tij. Kjo është detyrë e politikës. Pastaj drejtësia është nën presionin e opinionit publik, që kërkon luftën kundër krimit. Fatkeqësisht, gjestet kundër të fortëve dhe krimit mungojnë. E gjitha reduktohet në luftën kundër “lacave” të lagjeve, por jo aty ku politika bën ‘link’ me krimin.
Ambasadori Lu nuk i ka borxh ndonjë bande apo të forti në Shqipëri, dhe ua lehtëson të gjithëve punën, duke folur me emra. Tani është rasti që politika të dëshmojë se është e lirë, të bëjë atë që kërkohet. Jo vetë të duartrokasë ambasadorin Lu! Ashtu duartrokitën dhe Rigertën, por halli i saj dhe i Kristinës vazhdon!