Pas plot 48 vitesh, policia amerikane ka zbuluar një krim i tmerrshëm që tronditi Pensilvaninë, me viktimë një vajzë tetëvjeçare.
Sipas New York Post, një ish-pastor është arrestuar për vrasjen e vogëlushes Gretchen Harrington dhe ka rrëfyer krimin e tmerrshëm që ka mbetur i pandëshkuar që nga viti 1975.
David Zandstra, 83 vjeç sot, rrëfeu se kishte rrëmbyer dhe vrarë vajzën e vogël ndërsa ajo ishte duke shkuar për në një kamp të krishterë.
Burri iu afrua Gretchen-it me makinën e tij të gjelbër më 15 gusht 1975 dhe i ofroi ta çonte atë në destinacionin e saj. Më pas, gjithmonë sipas rrëfimit të tij, ai e çoi vajzën në një vend të izoluar ku i kërkoi që t’i hiqte rrobat. Kur ajo refuzoi, ai e rrahu për vdekje.
Pastori, i cili ishte i njohur për familjen, tha se u kthye në kishë pas vrasjes.
“David Zandstra është një përbindësh. Është makthi më i keq i çdo prindi”, tha avokati i Delkos, Jack Stollsheimer, gjatë konferencës së djeshme për shtyp. “Ai vrau një vajzë tetëvjeçare që e njihte dhe i besonte dhe më pas vazhdoi të sillej si mike me familjen e saj, jo vetëm gjatë funeralit, por edhe në vitet që pasuan”.
Trupi i Gretchen u gjet në Ridley Creek State Park disa javë pas vrasjes së saj.
Elementi që çoi në zbardhjen e çështjes ishte dëshmia e dhënë në polici janarin e kaluar nga një grua që pretendonte se ishte shoqe e mirë e vajzës së Zandstra-s. Sipas saj, prifti kishte ngacmuar Gretchen-in e vogël kur ajo kaloi një natë me fëmijët e tij në shtëpinë e tij kur ishte 10 vjeçe.
Policia nxitoi të merrte në pyetje ish-priftin në lidhje me akuzat për abuzim seksual ku ai “u dorëzua” dhe rrëfeu gjithçka.
Zandstra, i cili vitet e fundit jetonte në Xhorxhia, përballet me akuzat për vrasje të shkallës së parë dhe rrëmbim. Familja e viktimës ka lëshuar një deklaratë duke kërkuar që më në fund drejtësia të vendoset.