Faza e fundit e ankandit ndërkombëtar për ndërtimin e parqeve që do të prodhojnë energji nga era është mbyllur sot pasdite me oferta mjaft të mira nga kompanitë pjesëmarrëse. Më e leverdishmja për shtetin shqiptar është oferta e kompanisë franceze, lider në botë në fushën e energjitikës, Total Eren, e cila ka ofruar çmimin 44.88 Euro/MWh. Kjo kompani është paraqitur në ankand me një bashkim me kompaninë shqiptare KMW.
Ndërkohë kompania austriake “Verbund” ka ofruar çmimin prej 74.95 Euro/MWh dhe subjekti i tretë i kualifikuar që ishte bashkimi i përkohshëm i shoqërisë shqiptare “BRD” Sh.p.k, me kompanitë turke turke “Guris Insaat Ve Muhendislik A.S”, dhe “Mogan Energy A.S” ka ofruar 74 Euro/MWh.
Kapaciteti total i 3 projekteve është 222.48 MW. Zyrtarët e MIE kanë deklaruar gjatë ankandit se në përputhje me dokumentet e procedurës konkurruese dhe bazuar në këshillimin e ekspertëve të BERZH, të tre subjektet që kanë paraqitur ofertën ekonomike, të cilat janë nën çmimin tavan të propozuar nga MIE, janë shpallur fituese të ankandit.
Ky është ankandi i parë i këtij lloji jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë rajonin. Çmimi mesatar i përfituar nga kjo procedurë është shumë më i ulët nga çmimet mesatare të përftuara nga ankande të ngjashme për energjinë e erës.
Në raundin e fundit të ankandit të këtij viti në Gjermani, çmimi mesatar i dhënë ishte 73.40 euro/MWh (78 dollarë/MWh), pasi qeveria ngriti çmimet maksimale të ofertës me një të katërtën, duke reflektuar presionet inflacioniste mbi kostot e projektit dhe rritjen e normave të interesit. Ndërsa në ankandin e fundit francez të erës në tokë, u dhanë 73 projekte me një kapacitet total prej 1156 MW, të cilat do të prodhojnë energji elektrike për një çmim mesatar prej 85.29 €/MWh.