Politika “Më mirë do bëhet”, Gjiknuri flet pas shkarkimit si sekretar i përgjithshëm...

“Më mirë do bëhet”, Gjiknuri flet pas shkarkimit si sekretar i përgjithshëm i PS

Dy vendime të rëndësishme janë marrë në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS, që u zhvillua pasditen e sotme në kryeqytet dhe i paraprin një takimi informal me ministrat, që kryeministri Edi Rama ka parashikuar të zhvillojë më 28-29 korrik në Tepelenë.

Finalizimi i rokadës Çuçi-Balla është lajmëruar nga shefi i qeverisë në mbledhjen me dyer të mbyllura, duke i dhënë zë raportimeve që qarkullonin prej ditësh për riorganizimin e partisë.

Bledi Çuçi është emëruar kreu i Grupit Parlamentar të PS, duke marrë detyrën që më parë ushtrohej nga pasuesi i tij në Ministrinë e Brendshme.

Ndërkohë, surprizë ishte shkarkimi i Damian Gjiknurit nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm të PS.

Numri dy i ri i PS do të jetë një xhaketë e vjetër si Blendi Klosi. Ish-ministri i Turizmit që mbante deri më tani postin e Sekretarit Organizativ, do të ushtrojë detyrën e re deri në shtator.

Në lidhje me këtë ndryshim, Damian Gjiknuri iu përgjigj shkurtimisht interesit të mediave teksa doli nga mbledhja, duke thënë: “Kemi kohë për komente! Më mirë do bëhet!”.

Ndërkohë, Çuçi pas emërimit si kryetar i grupit tha për mediat se kjo detyrë është një përgjegjësi e madhe.

“Përgjegjësi e madhe, e thashë”, tha ai në një prononcim të shkurtër pas mbledhjes.

Ndryshe nga dy protagonistët e ditës, kryeministri Edi Rama heshti para gazetarëve teksa u largua nga mbledhja e Asamblesë duke mbajtur celularin në vesh. Ai shoqërohej gjatë gjithë kohës nga kryebashkiaku i Kamzës Rakip Suli, me të cilin shtrëngoi duart para se të hipet në makinë dhe të largohej.