Aktualitet 4.7 mln euro përfitime nga mashtrimi me Call Center-at: 14 urdhër-arreste në...

4.7 mln euro përfitime nga mashtrimi me Call Center-at: 14 urdhër-arreste në Shqipëri

9 persona u vunë në masë arresti dhe 5 të tjerë u shpallën në kërkim me urdhër të Prokurorisë së Posaçme pas një hetimi të përbashkët me Italinë, si të përfshirë në mashtrimin e dhjetëra qytetarëve italianë me anë të Call Center-ave.

5 prej të arrestuarve u mbyllën në qeli, 4 të tjerë u vunë në masën e sigurisë “arrest shtëpie”. SPAK thotë se ata ishin në drejtimin e skemës mashtruese, e cila referuar 140 denoncimeve të bëra në Itali, kishte gjeneruar 4.7 milionë euro.

Prokurori i Posaçëm Ened Nakuçi tha se vlerat që u merreshin të huajve kalonin nëpër disa llogari.

“Analiza e llogarive rrjedhëse, e kryer nga hetuesit nëpërmjet verifikimeve që kanë përfshirë disa shtete anëtare të Bashkimit Europian ndër to Qipro, Lituania, Estonia, Holanda dhe Gjermania kanë nxjerrë në dritë faktin se paratë e viktimave, në pjesën më të madhe të rasteve, shndërrohej në kriptovalutë të lidhura me llogari të huaja të pagjurmueshme”.

Prokurorja italiane, pjesë e grupit të punës, tha se mashtruesit ishin profesionist dhe tregoi edhe për skemën e pastrimit të parave.

“Skemën nuk e kemi ndërtuar plotësisht dhe hetimet janë në vazhdim. Unë mund të them se aktualisht është një person i cili po hetohet për lëvizje të parave. Një pjesë e këtyre mund të futeshin në Shqipëri, pasi nuk punonin falas. Hetimet janë të vështira pasi kriptovalutat përdoren për fshehjen e të ardhurave nga aktivitet kriminale dhe kjo është më e vështirë”.

Operacioni i SPAK është vazhdim i një operacioni të kryer në tetor të 2022 dhe serverat e gjetura atëherë në Call Center-in të rruga Dritan Hoxha, ndihmuan hetuesit në identifikimin e personave të tjerë.