Italia do të kandidojë për të pritur Europianin 2032. Është gati ta bëjë këtë gjë bashkë me Turqinë, për momentin e vetmja kandidate tjetër për kompeticionin e UEFA-s. Komitetet organizatore do të jenë dy dhe të ndarë.
Ndeshjet në grup do të ndahen mes dy vendeve, ndërsa stadiumet italiane, nga 10 që ishin parashikuar (Milano, Torino, Verona, Xhenova, Bolonja, Firence, Roma, Napoli, Bari dhe Kaljari) do të jenë vetëm 5.
Federata Italiane e Futbollit kishte dorëzuar më 12 prill dosjen në UEFA, e frymëzuar nga ‘një rilindje e re’, siç kishte pohuar në atë kohë presidenti Gabriele Gravina. Ai e ka konsideruar gjithmonë organizimin e një Europiani një pikë kyçe për rrugëtimin dhe qëndrueshmërinë e futbollit italian, veçanërisht në anën infrastrukturore.
Nuk do të ishte hera e parë që Europiani zhvillohet në dy vende të ndryshme. Ka ndodhur në Belgjikë dhe Holandë në 2000-shin, në Austri dhe Zvicër në 2008-ën dhe në Poloni dhe Ukrainë në 2012-ën.
Për edicionin 2020 (që pastaj u zhvillua në 2021-shin për shkak të Covid-it), Europiani ishte konceptuar si një aktivitet itinerar, në shumë vende. Një model që UEFA nuk ka në plan ta përsërisë. Bashkimi Itali-Turqi është një variant mjaft i mirë, jo vetëm gjeografikisht, por edhe politikisht.