Ka mjaftuar një dhuratë nga Gojkoviç në minutën e 63 të ndeshjes që Skënderbeu të marrë tri pikët e radhës në kampionat dhe të vijojë udhëheqjen e Superiores i shkëputur me 13 pikë nga ndjekësi më i afërt, Flamurtari.
Kjo është humbja e dytë radhazi e të kuqve pas humbjes në fushën e tij me Kukësin disa ditë më parë.
Starova rikthehet aty ku e la, te humbjet.
Ndërkohë që ndërlikohen pozitat e të kuqve, të cilët duhet të mendojnë edhe për kundërshtarët që vijnë nga poshtë.
Ndeshja
Pjesa e parë ka folur për të kuqtë, të cilët kanë organizuar më mirë lojën, kanë krijuar raste, por nuk kanë mundur që të shënojnë. Në minutën e pestë është Trashi që ka tentuar direkt portën e Shehit, por pa gjetur rrjetën. Ka vijuar më tej sulmi i të kuqve për disa minuta radhazi me Prognin dhe Bathën, megjithatë, kuadrati është vështirë të gjendet.
Korçarët shfaqen në portën e Partizanit vetëm në minutën e 27, Radas kroson në zonë dhe është Osmani që gjuan me kokë në kuadrat, por Hoxha pret.
Aksioni vijon me portën e boshatisur, por Xhejms nuk shënon. Minutat e fundit të pjesës së parë flasin për të kuqtë, por në dhomat e zhveshjes shkojnë me rrjeta të paprekura.
Të besuarit e Starovës kthehen në fushë më të motivuar. Lojë e bukur dhe e fortë. Aksione të njëpasnjëshme, ku dukej sikur Partizani luante në fushën e tij dhe jo Skënderbeu. Megjithatë, atëherë kur nuk pritej vjen një gabim nga Gojkoviç, i cili e dërgon sferën në rrjetë dhe shënon autogol.
Radas jep një top të gjatë në zonë për Soue, por Gojkoviç duke ndjerë presionin e sulmuesit të Skënderbeut kërkon të spastrojë me kokë, megjithatë, topi shkon në rrjetë, aty ku as Hoxha nuk pati mundësi të bënte asgjë. 1-0 për vendësit, të cilët marrin frymë lirisht për pjesën e mbetur të ndeshjes.
Nuk dorëzohen të kuqtë, me forca të shumta kërkojnë të paktën golin e barazimit, mirëpo e pamundur. Për disa minuta radhazi tentojnë kuadratin e mbrojtur nga Shehi, por goli nuk duket. Në fund gëzon Skënderbeu. Korçarët ndodhen 13 pikë të shkëputur në krye të tabelës së klasifikimit pas ndalesës së Flamurtarit në Durrës.