Kryesore “Le ta nisim edhe njëherë rrugën”, Basha flet si kryetar i PD:...

“Le ta nisim edhe njëherë rrugën”, Basha flet si kryetar i PD: Sot përvishemi për betejën e radhës

Lulzim Basha është pritur me ovacione nga mbështetësit e tij dhe disa deputetë, teksa ka hyrë si kryetar në selinë e re të Partisë Demokratike.

Pas fitores në zgjedhjet e kësaj të shtune, ku mposhti Gjergji Hanin me një diferencë të thellë prej 14539 votash, Basha iu drejtua demokratëve me një fjalim, duke i falënderuar për sakrificën, siç e quajti votimin në temperatura të larta.

“Demokrate e demokratë anembanë Shqipërisë. Një falënderim nga zemra shkon për të gjithë ju për qëndresën në këto kohë të vështira dhe sfiduese. Për pjesëmarrjen tuaj në këtë nxehtësi natyrale dhe artificiale. Falënderim dhe mirënjohje për strukturat drejtuese të PD që organizuan një proces shembullor të denjë, për cilësinë e ambicieve që kemi shpallur për të nesërmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve”, tha Basha.

Më tej kreu i PD-së u shpreh se demokratët treguan që kanë vullnetin për të sjellë ndryshimin dhe përballuar sfidat.

Ndaj Basha kërkoi mobilizim të strukturave për betejën e radhës politike, duke iu referuar asaj me qeverinë socialiste, fitoren se së cilës nuk e sheh si të paarritshme.

“Jam i vetëdijshëm për kohën e vështirë që kemi kaluar dhe sfidat para të cilave ndodhet PD dhe opozita. E di që lumenjtë e mosbesimit rrjedhin akoma. Ca të vërtetë dhe ca të sponsorizuar nga ata që duan me çdo kusht të ruajnë status-quo-në. Që e duan Shqipërinë kështu pa liri ekonomike, media nën censurë, me drejtësi nën presion. Por e di që e sotmja nuk shënon votën për një individ as një proces të thjeshtë brenda një partie. Por shënon nisjen e punës dhe puna fillon menjëherë për të ndërtuar mes dy brigjeve të mosbesimit urën. Mes bregut të sotëm të dëshpërimit të shqiptarëve të majtë e të djathtë, mes depresionit ekonomik dhe social ku e ka kredhur stanjacioni, mes mllefit dhe dëshirës për shpëtim që shpaloset anembanë, dhe bregun që do të sjellë ndryshimin e qeverisjes njëherë e mirë për çdo shqiptar pavarësisht bindjes politike. Nuk ka për të qenë e lehtë, por demokratët provuan sot se jemi në gjendje të aftë për t’iu përveshur një tjetër beteje në dukje të pamundur po jo të paarritshme. Ndaj le ta nisim edhe njëherë rrugën”, deklaroi ai.