Mbyllja e një mediaje përmes detajeve ligjore krejtësisht të parëndësishme, si në rastin e Klan Kosovës, nuk mundet të justifikohet me asnjë lloj mënyre, as nëse media është produkt i krimit (gjë që nuk ka prova) apo nëse media është produkt i oligarkisë, gjë që hap debate më të gjera.
Nga Gjergj Erebara – BIRN
Në vitin 1942 shkrimtari britanik George Orwell ishte duke biseduar me një grup qytetarësh të angazhuar, të cilët ishin të alarmuar për faktin që qeveria kishte lejuar gazetën Daily Worker të qarkullonte. Daily Worker, gazeta komuniste angleze, besnike ndaj regjimit të Stalinit, ishte një nga platformat që sulmonte Orwell për shkak të qëndrimit të tij ndaj Luftës Civile të Spanjës. Ata pyetën Orwell me mosbesim se mos ai nuk mendonte si edhe ata, se heqja e ndalimit të Daily Worker ishte një gabim i madh për shkak se ajo ishte një gazetë jobesnike ndaj kombit dhe nuk duhej të tolerohej në kohë lufte. Orwell tha: “E gjeta veten duke mbrojtur një gazetë që kishte shpifur ndaj meje më shumë se një herë.”
Kosova nuk është në luftë, por qeveria e saj ka lëvizur në mënyrë kërcënuese drejt anulimit të certifikatës së regjistrimit për kompaninë që operon televizionin Klan Kosova, duke pretenduar se ka një parregullsi të rëndë në faktin që pronari nominal i kompanisë është i regjistruar me pasaportë të Serbisë me adresë Djakovica, Serbia. Sipas vendimit të pezullimit, historiku i pronësisë së Klan Kosovës, në elementin që pronari rezulton i regjistruar si banor i qytetit të Gjakovës sipas denominimit serb të këtij qyteti, “përbën shkelje të kushtetutës”.
Origjina e pronësisë së Klan Kosovës, një prej televizioneve kryesore në Kosovë, fshehja e pronësisë nga kompani të regjistruara në shtete të ndryshme, dhe dyshimet se pronari nominal i kompanisë mund të mos jetë vendimmarrësi real i politikave në këtë televizion, ngre pyetje legjitime për t’u trajtuar në shoqërinë dhe institucionet e Kosovës.
Tregu i medias konsiderohet gjerësisht në botë si treg sensitiv dhe disa parime kyçe si: larmishmëria e këndvështrimeve dhe e operatorëve, transparenca e pronësisë, transparenca e interesave të lidhura të pronarëve, ndarja e pronësisë nga administrimi, ndarja e menaxhimit financiar nga menaxhimi i përmbajtjes editoriale, pavarësia editoriale nga administrimi financiar, pasja e një kodi etike të pjesës gazetareske të televizionit, sigurimi që asnjë operator i vetëm të mos ketë fuqi dominuese në treg, as nga pikëpamja e pjesës së tregut të reklamave dhe as nga pikëpamja e kontrollit të audiencës, e të tjera si këto, janë që të gjitha çështje legjitime. Zgjidhja e këtyre problemeve është me raste përmes mjeteve ligjore dhe institucionale dhe me raste të tjera, përmes dialogut të gjerë mes operatorëve dhe shoqërisë, një proces që njihet shkurtimisht si “vetërregullim”.
Këto të gjitha natyrisht që kërkojnë proces të rregullt ligjor e demokratik, gjë që duket se mungon në situatën në fjalë.
Gjetja e problemit nisi nga një investim gazetaresk dhe vijoi me vendimmarrje zyrtare. Gjuha e përdorur, si nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ashtu edhe nga kryeministri Albin Kurti, sugjerojnë se vendimmarrja nuk është në fakt çështje teknikaliteti ligjor. Sipas ministrisë, regjistrimi i një biznesi në Kosovë me pasaportë të Serbisë përbën as më pak e as më shumë se sa cënim të kushtetutës, ndërsa sipas Kurtit, “demokracia sulmohet kur biznesmenë të fuqishëm shkelin ligjin për përfitime financiare.”
Kurti duket se dekonspiron arsyen që dyshohet se qëndron pas këtij sulmi, goditjen e Klan Kosovës si media e cila, sipas shumë prej mbështetësve të Kurtit, kontrollohet nga biznesmenë kundërshtarë të pushtetit të tij, konkretisht, Vëllezërit Devolli. Këta të fundit nuk rezultojnë pronarë fundorë të televizionit, por njihen mes të tjerash, si pronarë të koncesioneve absurde shumë fitimprurëse të dhëna nga qeveria paraardhëse, përfshirë një koncesion që shet copa letre me detyrim për qytetarët e Kosovës kur këta të fundit importojnë një makinë në Kosovë.
Me pak fjalë, Klan Kosova po sulmohet me qëllim që të dëmtohen Vëllezërit Devolli ndërsa detajet mbi emrin e adresës së pronarit janë dukshëm thjeshtë një justifikim jo shumë i qëlluar për këtë.
Mediat oligarkike nuk janë kurrë të dëshirueshme as në Kosovë, as në Shqipëri e askund tjetër. Kosova, ashtu si Shqipëria, duket se vuan nga media të financuara nga biznesmenë të fuqishëm për t’i shërbyer politikanëve në shkëmbim të favoreve ligjore në kurriz të taksapaguesve. Normalisht që media të tilla është mirë të mos ekzistojnë. Problemi në këtë rast nuk është ky. Problemi është, nëse Kurti e mbyll Klan Kosovën, kjo a e bën mjedisin mediatik në Kosovë më të mirë, më të ndershëm, më në shërbim të publikut apo e bën më keq?
Përgjigjja shkurt është që nuk e përmirëson. Përkundrazi, e përkeqëson. Të gjitha problemet e një tregu mediatik të renditura më sipër, mungesa e larmishmërisë së këndvështrimeve, media me pronësi të paidentifikuar, media të financuar nga biznese të lidhura në shërbim të politikës, media me fuqi të ndjeshme në treg, media me gazetarë pa pavarësi editoriale e shumë të tjera, mbeten njësoj të pazgjidhura, pavarësisht nëse Kurti ia del ta mbyllë apo jo median kundërshtare.
Ndërtimi i shtetit të së drejtës kalon nga hartimi i ligjeve të mira që zbatohen nga institucione që veprojnë brenda kufizimeve ligjore. Procesi është i gjatë dhe jo gjithmonë i drejtpërdrejtë, por nuk ka ndonjë alternativë ndaj kësaj. Mbyllja e një televizioni përmes teknikaliteteve të parëndësishme ligjore është një hap i madh në drejtimin e gabuar për ndërtimin e shtetit ligjor.