Një 38-vjeçar shqiptar ka mbetur i plagosur nga efektivët e policisë greke në lagjen Colonos të Athinës në Greqi, pasi tentoi të grabiste një bankë. Ai është identifikuar si Elton Zoto nga Delvina. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11.15 të mëngjesit të së martës në rrugën Palamidi. Sipas asaj që shkruajnë mediat greke, policia kishte marrë një denoncim për tentativë grabitjeje pasi një nga punonjësit aktivizoi alarmin.
Sapo mbërriti në vendngjarje, autori kërcënoi efektivët e policisë me thikë. Ai ka tentuar të largohet, por efektivët i janë vënë pas. Në ndjekje ka marrë pjesë edhe një efektiv policie jashtë detyrës. Megjithatë shqiptari nuk ka mundur të shkojë shumë larg pasi është rrethuar nga policia e cila e ka qëlluar duke e plagosur në bark.
Mësohet se i plagosuri po kurohet nën mbikëqyrje të policisë në spitalin Evangjelismo të Athinës. Autorit që njihet si përdorues i lëndëve narkotike është i janë gjetur me vete një sasi parash. Sipas njërit prej dëshmitarëve që ka folur për mediat greke, efektivët kanë thirrur “stop” dhe menjëherë pas kësaj janë dëgjuar dy të shtëna.
“Polici i thoshte ndalo, por ai nuk ndaloi. Ai shkoi përpara. Nga aty dëgjova dy të shtëna dhe asgjë tjetër. Ai vrapoi, goditi makinën e patrullës dhe u ngrit dhe u nis drejt njërit nga policët. “Stop”, i kanë bërtitur policët, kanë bërë të gjitha veprimet e parapara për ta ndaluar dhe kur në një moment polici ka shkuar ta ndalojë, ka qenë në një distancë të afërt dhe aty kam dëgjuar dy të shtënat”, – thotë dëshmitari.