Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ironizuar sërish me çështjen e “Ballkanit të Hapur” dhe kryeministrin Edi Rama. Në një pritje që u bëri të martën në mbrëmje mërgimtarëve, Kurti tha se po e shënojnë përvjetorin e “Ballkonit të Hapur”, duke e quajtur kështu një vend të këndshëm.
“Për rastësi, ose ndoshta edhe jo, nesër bëhen fiks një vit prej se e kemi inauguruar “Ballkonin e Hapur” këtu në Kryeministri. Këtu, një vit më parë, prej kur kjo hapësirë e objektit të qeverisë, që dikur nuk shfrytëzohej, është bërë vend kaq i këndshëm për pritje e takime.”
Kurti tha se “Ballkoni” vazhdon të jetë i hapur për mërgatën dhe në të do të takohen për shumë mot.
“E edhe një vit pas, Ballkoni ynë vazhdon të jetë i hapur, sonte, për mërgatën tonë të dashur, për juve bashkatdhetarë. Bashkë e shpallëm. Bashkë po e shënojmë edhe përvjetorin e parë. Bashkë do të takohemi për shumë mote. Mirë se vini e gëzuar.”
Kosova nuk i ishte bashkuar iniciativës për “Ballkanin e Hapur” në të cilën bënin pjesë Shqipëria Serbia dhe Maqedonia e Veriut.
Kosova konsideronte se iniciativa e “Ballkanit të Hapur” ishte e dëmshme për Kosovën ndërsa ishte fokusuar te procesi i Berlinit.