Aktorja dhe regjisorja Eni Jani, bashkëshorte e aktorit dhe pedagogut Genc Fuga, ka përcjellë një mesazh përulësie ndaj të gjithë atyre që kanë kontribuuar financiarisht për të shoqin e saj në ditë të vështira, prej një goditjeje në tru.
Ditë më parë ajo do kërkonte publikisht ndihmë për 19 mijë euro, të domosdoshme për operacionin në kokë, shumë e cila u mblodh me shpejtësi.
“Të dashur miq, të njohur dhe të panjohur, sidomos ju të panjohur që madhështinë e Gencit e sollët aq ngrohtë tek unë me respektin e simpatinë për të.
Ju drejtohem duke ju thënë se nuk kam ditur asnjëherë të jem e mirë me fjalën, por fjalët e zemrës nuk i kam kursyer asnjëherë sepse janë gjithmonë të vërteta e kur janë të vërteta janë të ndjera. E vërteta ime është dashuri dhe respekt për gjithsecilin nga ju që ishit pranë nesh.
Përulem përpara dashurisë suaj ashtu siç përulem në skenë përpara duartrokitjeve tuaja.
Ju dua!!!”, ka shkruar ajo.
Ndërkohë, nga reagimet e forta të publikut, kritike ndaj qeverisë që nuk ka mundur dot të mundësojë që ndërhyrje të tilla të kryen në shtet, duke ia lënë ato privatit, edhe qeveria ka vendosur që të marrë përsipër shpenzimet e mjekimit të Genc Fugës.
Për ironi fati, aktori dhe pedagogu i Artit Skenik do deklaronte kohë më parë në publik se si prind ndihej keq përballë vajzave që s’mund të kishte të ardhura të mjaftueshme për jetesën e tyre.