Mesfushori i Kombëtares Shqiptare Ylber Ramadani është zyrtarisht mesfushor i skuadrës së Leçes në Itali.
Vetë klubi i Serisë A ka njoftuar paraditen e sotme akordin me klubin skocez Aberdeen për transferimin e Ramadanit.
“Lojtari shqiptar do të jetë në Leçe në orët e para të pasdites së sotme për t’iu nënshtruar analizave mjekësore”, shkruan klubi italian në komunikatën zyrtare.
Klubi italian ka paguar 1.2 milionë euro për kartonin e Ramadanit, ndërsa 10% e kartonit do të mbetet në pronësinë e Aberdeen që mund të arkëtojë sërish në të ardhmen në rast të një tjetër transferimi të lojtarit.
Vetë ish-futbollisti i Partizanit do të përfitojë një pagë prej 500.000 eurosh në vit në radhët e Leçes teksa ka firmosur një kontratë trevjeçare me opsion rinovimin edhe për një tjetër vit.
Vlen të theksohet se në garë për Ramadanin ishte edhe skuadra tjetër e Serie A, Verona, mirëpo Leçe fitoi garën duke qenë se ofroi më shumë dhe kënaqi interesat e Aberdeen.