Politika Berisha: Kërkoj dorëheqjen e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani i...

Berisha: Kërkoj dorëheqjen e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani i zhytur në aferën e djegësave

Kryetari i PD-së Sali Berisha ka kërkuar dorëheqjen e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metanit, të cilin e akuzon për përfshirje në aferën e inceneratorëve.

Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Berisha ngre pretendimin se Metani është ligjërisht dhe penalisht një nga përgjegjësit më kryesorë të dosjes së inceneratorëve.

Sali Berisha: Edhe njëherë theksoj se afera e djegësave është vjedhja e shekullit, kurse hetimi është hetimi i shekullit. Sipas burimeve origjinale, po ushtrohet presion i madh ndaj ekipit të hetimit të vjedhjes së shekullit. Në këtë kontekst, kërkoj të hetohet çdo kontakt i cilitdo punonjës me ekipin e hetimit të vjedhjes së shekullit. Në këtë kontekst, kërkoj dorëheqjen e menjëhershme të inspektorit të lartë të drejtësisë, Artur Metani, i cili është ligjërisht dhe penalisht një nga përgjegjësit më kryesorë të aferës së djegësave në Shqipëri. Artur Metani, informoj shqiptarët, se është bashkë me Engjëll Agaçin, njeriu që ka argumentuar, që ka marrë pjesë në të gjithë argumentimet ligjore të Këshillit të Ministrave. Artur Metani, ish-drejtues i departamentit juridik të Këshillit të Ministrave, që është gardiani kryesor i vendimeve të Këshillit të Ministrave, bashkë me Agaçin kanë legjitimuar një procedurë krimi. Artur Metani është i zhytur kokë e xhep në vjedhjen e shekullit. Ai, pa asnjë tagër, ka kryesuar mbledhjen me 5 zëvendësministra në Ministrinë e Mjedisit, e bërë me qëllim nga Edi Rama dhe Engjëll Agaçi për të shkelmuar strategjinë e hartuar me 4 mln euro investime të BE për trajtimin e mbetjeve në Shqipëri me depozitim, seleksionim, riciklim. Ky zotëri ka kryesuar mbledhjen pa asnjë tagër, thjesht për interesa të kupolës së mafies së plehrave. Ndaj i kërkoj dorëheqjen e menjëhershme nga posti, sepse përbën kërcënim potencial madhor për të gjithë hetuesit dhe gjykatësit e kësaj çështje, pasi ai është vetë i inkriminuar plotësisht dhe tërësisht.