Juventusi ka mposhtur Real Madridin me rezultatin 3-1 në miqësoren e zhvilluar në Florida. Pas ndeshjes ka folur për mediat trajneri i “bardhezinjve”, Massimiliano Allegri, i cili e ka cilësuar si pozitive paraqitjen e ekipit të tij në sfidën kundër gjigandëve spanjollë, teksa ka folur dhe për objektivat e “Zonjës së Vjetër” në sezonin e ri.
“E përfunduam mirë turneun, luajtëm kundër një skuadre e cila është shumë mirë si në aspektin teknik ashtu edhe në atë fizik. Luajtëm shumë mirë 25 minutat e para më pas ishte normale që niveli i lojës së kundërshtarit të rritej pasi i dimë shumë mirë cilësitë e tyre.
Megjithatë, kundër Realit u mbrojtëm mirë edhe pse pjesën e dytë e humbëm disa herë topin në zona të rrezikshme, plus që temperaturat këtu në Florida janë shumë të larta dhe ato ndikuan në lojën tonë. Gjithsesi më pëlqeu mënyra sesi e interpretuam ndeshjen”.
Me shumë mundësi takimi kundër Realit do të jetë testi i vetëm europian për Juventusin, pasi “Zonja e Vjetër” u përjashtua nga kompeticionet europiane për sezonin e ardhshëm, megjithatë tekniku livornez u shpreh se do të kthehen shpejt në Europë.
“Ngelëm jashtë Europe për çështje josportive, pasi në kampionat u renditëm të tretët po të mos ishte për ato 10 pikë që na u zbritën. Këtë sezon duhet të përqëndrohemi në maksimum në mënyrë që të rikthehemi në Champions për sezonin 2024-2025”.
Juventusi do ta nisë sezonin e ri të Serie A, në transfertën kundër Udineses në “Dacia Arena” në datën 20 gusht.