Sali Berisha akuzoi prokurorët e SPAK dhe kryeministrin Edi Rama se kanë zhvilluar takime të fshehta me pronarët e inceneratorëve që janë në kërkim. Berisha u shpreh se po tentohet që përgjegjësia penale t’i lihet Ahmetajt, Zotos dhe Mërtirit për të shpëtuar Edi Ramën.
“Dua të informoj qytetarët se ka pasur presione dhe takime të papranueshme dhe takime shumë të dyshimta e të papranueshme midis prokurorisë dhe personave që janë pronar de fakto të djegësave ndër të cilët mundet dhe flitet edhe vetë Edi Rama. Kjo është çështje në shqyrtim. Një takim është zhvilluar 10 ditë më parë në Kryeministri dhe një tjetër 3-4 ditë më parë në periferi. Kemi të bëjmë me organizatë kriminale. Kryeministri është i detyruar të mendojë 7 herë para se të firmosë një herë. Qëllimi është të shpallim Ahmetajn trurin e vjedhjes së shekullit dhe dy hajdutët Zoto dhe Mërtiri dhe të shmangim Ramën, Agaçin, Gjiknurin dhe Erion Veliajn e me radhë. Kjo është dështim në hetim dhe shumë e rëndë”.
Berisha: Janë lëshuar urdhërarreste për ish-bashkëshorten dhe bashkëjetuesen e Ahmetajt
Një ditë më parë, Sali Berisha, duke cituar burime, tha se ish-numri dy i qeverisë Rama është kërcënuar me jetë. Ai bëri thirrje që si Ahmetaj, ashtu edhe familjarët e tij të merren në mbrojtje nga autoritetet, ndërsa sot tha se për ish-bashkëshorten dhe për bashkëjetuesen e Arben Ahmetajt janë lëshuar urdhërarreste sa i përket çështje së unceneratorëve.
Në konferencën e përjavshme me gazetarët, Berisha deklaroi gjithashtu se ish-ministri i Financave u largua nga Shqipëria pasi paraqiti disa SMS kërcënuese që kishte marrë, që sipas tij, nuk janë hetuar nga prokuroria.
“Këto akuza të qytetarit digjital i ka marrë direkt nga Ahmetaj. Unë jam i ndjeshëm. Ahmetaj u largua duke paraqitur sms kërcënuese që i ishin dërguar. Këto sms prokuroria duhet t’i hetonte. Apo ishin këto për skenarin e azilit të tij, këtë nuk e di. Por di të them se Ahmetaj ka informuar, është njeri me njohje të shumta, njerëz të cilët iu ka rrëfyer se është akuzuar madje edhe nga kriminelë të qelive të burgjeve. Për të dyja zonjat, ish-bashkëshorten dhe bashkëshorten, burime pothuajse, mjaft të besueshme më thonë se është lëshuar urdhërarresti. Skam asgjë, por çfarë tingëllon këtu?! Të lëshohen urdhërarrest për këto zonja dhe të sillet Veliaj, Agaçi, Rama, të lihen të lirë se janë bazë e kësaj vjedhje, ky është akt që dëshmon se përpiqesh me çdo kusht që të mbash çështjen,” deklaroi ndër të tjera Berisha.
Sali Berisha thotë se ai vetë nuk ka komunikuar me Ahmetajn, por se informacionet i merr nga qytetari digjital.