Fotoja e Saimir Tahirit në qelinë e burgut, ku ai po drekon me të burgosurit e tjerë, Safet Bajri nga Shkodra, Klemend Balili nga Saranda dhe Klodian Selimi, një nga të arrestuarit e “grupit të zjarrit” në Lazarat ka ngritur disa pikëpyetje për trajtimin që mori ish-ministri i Brendshëm në burg.
Në tryezën ku ai po drekon me të burgosurit e tjerë ka pije që shoqërojnë ushqimin. A po pihet alkool në atë tryezë?
Spekulimeve iu është përgjigjur drejtoria e Burgjeve, që ka shpërndarë një njoftim, ku shpjegon se “ushqimi shërbehet gjithmonë në dhomat e të dënuarve, pasi nuk ekziston një ambient i veçantë (mensë kolektive) për ngrënien e ushqimit, por konsumohet vetëm në dhomat e tyre. Në lidhje me pretendimet për pije alkoolike, është e dukshme që në tavolinë janë shishe me ujë, si dhe gota me pije freskuese”.
Kush e bëri foton? Nëse ka qenë një prej të burgosurve të tjerë në dhomë, a do të thotë kjo se Tahiri ka mbajtur celular në qeli?
“Fotografia në fjalë ka qenë pjesë e disa fotografive të bëra nga personeli i IEVP “Kosovë e Lushnjes”, gjatë ndjekjes së një dite normale në Institucion, konform rregulloreve ne fuqi” është përgjigjja që vjen nga Drejtoria e Burgjeve e cila thotë se Tahiri, Balili dhe Safet Bajri kanë qenë në të njëjtin sektor dhe ulja e tyre në një tryezë për drekë nuk ka qenë një shkelje e rregullave të burgut.