Dosja voluminoze e SPAK me bisedat e enkriptuara në aplikacionet Sky tregon edhe njëherë lidhjen e Policisë së Shtetit me krimin e organizuar. Oltion Bistri, i arrestuar në kuadër të këtij hetimi për nxjerrje të sekretit hetimor, komunikon vazhdimisht me Pëllumb Gjokën, biznesmenin që ushtronte veprimtari të lojërave të fatit në Tiranë në mënyrë të kundraligjshme.
Bistri i cili deri para disa javësh ishte shef i Njësisë Operacionale, i rrëfen gjithçka Gjokës për t’i shpëtuar biznesin. Dekonspiron aksionet e policisë dhe tregon bisedat që ai ka bërë me eprorët e tij. Asokohe ishte Rebani Jaupaj, ish-drejtori i Policisë Tiranë dhe Ardi Veliu, ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Bistri i shkruan Gjokës: S’do as Ardi se i thashë (Ardi Veliu). Bile dhe për këtë më çau ka*in. I thashë e le punën e s’e heq se i kam dhënë llafin.
Pra, Oltion Bistri që drejtonte Komisariatin Nr.2 në vitin 2019, nuk donte t’i hiqte lojërat e fatit të paligjshme Pëllumb Gjokës sepse i kishte dhënë fjalën.
Në një tjetër komunikim Bistri i shkruan Gjokës: Nesër mos e hap. Këto 2-3 ditë, mos i thuaj njeriut. Po 2-3 ditë. Nesër ka aksion nga Operacionalja në zonën time. Të lutem mos e diskuto me asnjë se më prish punë shumë. Po mora vesh që do të vijnë aty te ty do të të them vetë. Mirë është mos të jetë hapur. Nesër në darkë mbylle, ose më saktë nesër në darkë do bëhen kontrollet.
Në biseda të tjera Oltion Bistri i tregon biznesmenit edhe komunikimet e tij me drejtorin e Policisë Tiranë, Rebani Jaupaj. Për rastin e kazinosë së biznesmenit sipas përgjimeve në dosjen e SPAK mendohet sipas asaj që shkruan Bistri, të ishte ankuar vetë ministri i Brendshëm, Sandër Lleshi.
Pjesë nga dosja
Sipas asaj që ish-shefi i Komisariatit nr.2 Oltian Bistri i thotë pronarit të kazinosë, Pëllumb Gjokës: “Ka frikë Rebaniu se i paskan thënë për këtë rastin dhe është tremb”, apo “ik fli tani apo ke puntorë brenda? Kush është klienti më i fortë? I ke marrë ndonjë tajvanit? Ty të duhen me lek, jo ata që s’i lënë andej. Ata që si lënë janë të mbaruar. Prit një herë të mbarojë aksioni. Unë e bëra për ty këtë se smë ngrenë ato 1500 euro që marr. Se veç për ty e lashë. është muhabet vk. Edhe për anë morale më tepër. Se vetëm stres. Vetëm këto sa bëjnë ti lutem rebos aman. Ai lekët do marri dhe kot i merr. S’e di pse ka frikë”, i shkruan Bistri, Pëllumb Gjokës.
Në datën 20 shkurt të vitit 2020, në një bisedë të përgjuar Bistri i shkruan Pëllumb Gjokës: “tani do fillojë për pak, ik futu gjëkundi se s’i dihet, mos rri në qarkullim dhe fike telefonin. po kot mos si dihet. se di. akoma sna i kanë sjellë emrat dhe vendet. Dr tha do e heq pikën nga lista. jo e din rebua vete ska nevojë”
Në atë kohë Rebani Jaupi ishte Drejtor i Policisë së Tiranës dhe informacionet që vinin për Pëllumb Gjokën kanë të bëjnë me një operacion të quajtur “Fati i lojrave”. Duket se Bistri sugjeron se Drejtori i policisë do ta heqë pikën e Pëllumb Gjokës nga lista e kontrolleve për lojerat e paligjshme të fatit.