Gazeta Blic e ka publikuar një video nga momenti i fillimit të përplasjes me armë në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë. Pamjet janë të rënda, prandaj nuk rekomandohen për personat e ndjeshëm apo me probleme.
Ngjarja ndodhi në orët e vona të së premtes. Një person humbi jetën, ndërsa disa të tjerë u plagosën. Viktima ishte Kastriot Ramadani i cili mori një plagë vdekjeprurëse si pasojë e të shtënave me armë zjarri pas përplasjes mes dy grupeve.
Të plagosur me armë mbetën edhe 6 të tjerë ndërsa 13 pësuan lëndime trupore nga gërvishtjet e xhamave apo sendet tjera. Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës njoftoi se 5 persona janë paraqitur për trajtim të mëtejshëm, pas ndihmës mjekësore në Klinikën Emergjente në Prishtinë.
I dyshuari kryesor për ngjarjen dhe që ndodhet në arrati është Dukagjin Nikollaj, i njohur si “Duka”, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge FBI që në vitin 2016.
Prokurori i Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovë janë duke punuar për zbardhjen e plotë të ngjarjes, duke i përfshirë në veprat penale ‘Vrasje të rëndë’, ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ dhe ‘Pjesëmarrje në rrahje’.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla duke iu referuar kësaj ngjarjeje tha se vrasja erdhi nga dora e kriminelëve të cilët për arsye të dështimeve të drejtësisë kanë qenë të lirë. Ministria e Brendshme në kuadër të strategjisë kundër krimit të organizuar do të iniciojë themelimin e një task-force për hetimin e thellë, jo vetëm të këtij rasti, por edhe të rasteve të tjera të ngjashme.