Gjendja shëndetësore e Matteo Messina Denaro është përkeqësuar. Bosi i Cosa Nostra, i cili vuan nga kanceri dhe ndodhet i izoluar në regjimin 41 bis të burgut të sigurisë së lartë të Aquila-s është shtruar në repartin e kirurgjisë në spitalin San Salvatore, nën masa të rrepta sigurie. Që prej ditës kur u arrestua, në ambientet e burgut u përshtat një dhomë ku ai bënte kimioterapinë. Gjatë javëve të fundit Messina Denaro kishte kryer një ndërhyrje për shkak të probleme urologjike, por ishte rikthyer brenda ditës në izolim.
“Tashmë Messina Denaro nuk ha më, ka vështirësi edhe për të pirë, ka nevojë për shtrim urgjent sepse ka nevojë për serum për t’u ushqyer”, pati deklaruar avokati i tij mbrojtës Alessandro Cerella, shkruan TgCom24. Po sipas avokatit, tashmë gjendja e tij nuk mund të trajtohet më në burg.
“Nuk do pendohem kurrë”: Ndërkohë, hetuesit kanë mundur ta marrin në pyetje Messina Denaro-n, i cila ka mohuar të ketë kryer masakrat dhe të ketë trafikuar drogë. Megjithatë, ai ka pranuar se ka pasur korrespondencë më kapomafian Bernardo Provenzano. “Nuk do pendohem kurrë”, ka pohuar Messina Denaro pa hezitim, gjatë marrjes në pyetje nga prokurori i Palermos, Maurizio De Lucia dhe ndihmësi i tij Paolo Guido.
“Më kapët prej sëmundjes”: Në të njëjtën seancë të marrjes në pyetje, kryemafiozi i Cosa Nostra ka komentuar edhe arrestimin e tij pas 30 vitesh në arrati. “Nuk dua të dukem si ‘supernjeri’ as arrogant, por ju arritët të më arrestonit vetëm për shkak të sëmundjes”. Ai po ashtu mësohet të ketë rrëfyer se ka jetuar duke hequr dorë nga teknologjia, duke e ditur se ishte një pikë e dobët. Më pas iu desh të dorëzohej.
“Mafia? E kam njohur nga media”: “E ndjej veten një njeri me nder, jo mafioz. Cosa Nostra-n e njoh nga mediat”, ka vijuar në deklaratën e tij Denaro Messina gjatë marrjes në pyetje pas arrestimit. “Jeta ime nuk ka qenë pasive, kam pasur një jetë aventuriere, në lëvizje”. Ai po ashtu ka pranuar se kishte blerë një pistoletë, por ka pretenduar se nuk e ka përdorur kurrë, e as të ketë kryer vrasje e masakra.
“Nuk e kam vrarë unë të voglin Di Matteo”: “Një gjë më lejoni ta them. Ndoshta është gjëja që për mua ka më shumë rëndësi. Unë nuk jam shenjt, por me vrasjen e fëmijës nuk kam lidhje”, ka shtuar ai duke iu referuar vrasjes e të voglit Giuseppe Di Matteo, djali i të penduarit që u rrëmbye dhe u shkri në acid.