Një punonjës i Gardës së Republikës është arrestuar për armëmbajtje pa leje në Tiranë.
“Ai u ndalua në orët e vona të mbrëmjes së kaluar, si i dyshuar për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit””, njoftoi AMP këtë të mërkurë.
Arrestimi i gardistit Kristjan Gjini, 32 vjeç, erdhi pas një kontrolli të kryer nga policia në automjetin e tij. Aty iu gjet një pistoletë që e kishte pa leje. Po ashtu, gjatë kontrollit u gjetën dhe sekuestruan dy aparate telefonikë.
“Hetimet po vijojnë dhe materialet procedurale u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë”, njoftoi AMP.
Pas këtij lajmi, Drejtori i Përgjithshëm i Gardës së Republikës ka firmosur përjashtimin e 32-vjeçarit nga radhët e Gardës.