Deputeti grek i Partisë Demokracia e Re, Angelos Syrigos, ka takuar në burg, Fredi Belerin, kryebashkiakun e pabetuar të Himarës.
Në një prononcim për mediat, ai ka bërë me dije se Shqipëria nuk po zbaton ligjin, duke ngritur një pyetje “Pse Beleri nuk lejohet që të betohet për të marrë detyrën?”.
Ai bëri me dije se, nëse nuk do të merren masa, atëherë Shqipëria do të vuajë pasojat e saj në rrugën drejt Bashkimit Europian.
“Është në burg për gati 3 muaj. Dështimi i autoriteteve të Shqipërisë, apo moslejimi që të betohet, po krijon një risk, që ai të largohet nga detyra si kryebashkiak i Himarës. Kjo do të shkaktojë përkeqësim të marrëdhënieve mes 2 vendeve. Ne kemi 3 kërkesa, e para respektimi i ligjit, e dyta e drejta e prezumimit të pafajësisë për personin që është zgjedhur si kryebashkiak, dhe e treta respektimi i të drejtave të njeriut. Unë do të flas për këtë të fundit, sepse nuk është e kuptueshme nga ne apo nga BE-ja që një person që është zgjedhur, nuk shkon në zyrë për t’u betuar. Mund të ketë pasoja për rrugëtimin e Shqipërisë në BE dhe negociata që do të nisin shumë shpejt.
Di disa raste për korrupsion në Shqipëri, por vetëm një rast, ai i Fredi Belerit, rezulton të jetë në burg. E kuptoj që është në burg, pse qeveria e Shqipërisë nuk respekton të drejtat e njeriut dhe nuk e lejon atë që të marrë detyrën si kryebashkiak. Po dhunohen të drejtat e tij civile”, tha Syrigos .
Ai ka zbuluar se cili do jetë hapi i radhës.
“Hapi tjetër do të ndodhë fatkeqësisht në BE. BE-ja luan një rol të rëndësishëm në respekt të shtetit të së drejtës dhe pakicës civile”, tha deputeti grek.
Në fillim të muajit, SPAK çoi për gjykim dosjen ndaj kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri. Në njoftim, SPAK argumentoi se nga provat e administruara gjatë hetimit, rezulton se është e provuar që Alfred Beleri i ka ofruar Arsen Ramës 50 euro për çdo person që ai do gjente dhe që do votonte për Belerin si kandidat për kryetar të Bashkisë Himarë, në zgjedhjet vendore të 14 majit. Për shërbimin që do të kryente Arsen Rama, do të shpërblehej në shumën 300 euro.
Ai aktualisht ndodhet në burg, e ndërsa nuk e ka bërë ende betimin si kryebashkiak i Himarës.