Aktualitet Trafik droge përmes liqenit, katër të arrestuar në Pogradec

Trafik droge përmes liqenit, katër të arrestuar në Pogradec

Policia e Pogradecit ka shkatërruar një rrjet që trafikonte lëndë narkotike përmes liqenit në drejtim të Maqedonisë së Veriut dhe arrestoi katër persona.

Në kuadër të operacionit të “Restart 15”, u sekuestruan 26 kilogramë lëndë narkotike kanabis sativa, si dhe 1 varkë peshkimi, 2 automjete dhe 4 celularë.

4 të arrestuarit funksiononin në formën e grupit, për të magazinuar lëndë narkotike pranë Qendrës së Rasatit të Koranit, në fshatin Lin dhe për ta trafikuar atë me varka peshkimi drejt RMV-së për ta shitur me 500 euro kilogramin.

Të arrestuarit janë: Ardian Toska, Aurel Toska, Roni Sulollari dhe Tane Bllazhe.

Ndërkohë, policia vijon hetimet për identifikimin dhe për arrestimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Njoftimi i policisë:

DVP Korçë/Finalizohet operacioni policor antidrogë i koduar “Restart 15”, sekuestrohen 26 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa.

Vepronin në formën e grupit, për të magazinuar lëndë narkotike, buzë liqenit në Pogradec, dhe për ta trafikuar atë, me varka peshkimi, drejt RMV-së, arrestohen 4 shtetas.

Nga hetimi proaktiv njëmujor rezultoi se 4 të arrestuarit e kryenin këtë veprimtari kriminale, kundrejt pagesës 500 euro/kg lëndë narkotike.

Së bashku me lëndën narkotike, sekuestrohen 1 varkë peshkimi, 2 automjete dhe 4 celularë.

Si rezultat i një hetimi intensiv, proaktiv, të ndjekur për 1 muaj, nga Policia dhe Prokuroria e Korçës, mbi informacione të siguruara se disa shtetas magazinonin lëndë narkotike, me qëllim trafikimin drejt RMV-së, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, finalizuan fazën e pesëmbëdhjetë të operacionit policor antidrogë të koduar “Restart”.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit:

A. T., 51 vjeç; A. T., 43 vjeç (43-vjeçari, punonjës pranë Qendrës së Rasatit të Koranit, në Pogradec) vëllezër, të dy banues në fshatin Piskupat, si dhe shtetasit R. S., 45 vjeç dhe T. B., 53 vjeç, (53-vjeçari, punonjës pranë Qendrës së Rasatit të Koranit, në Pogradec) të dy banues në fshatin Lin.

Nga hetimet intensive të kryera në kuadër të këtij operacioni rezultoi se këta shtetas vepronin në mënyrë të organizuar, për të trafikuar lëndë narkotike cannabis sativa, drejt RMV-së, kundrejt pagesës 500 euro/kg lëndë narkotike.

2 vëllezërit, shtetasit A. T. dhe A. T. siguronin lëndën narkotike që do të trafikohej dhe e magazinonin atë buzë liqenit, në fshatin Lin, Pogradec. Më pas lënda narkotike trafikohej drejt RMV-së, me varka peshkimi që drejtoheshin nga shtetasit R. S. dhe T. B.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 26 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa, 1 varkë peshkimi, 2 automjete dhe 4 celularë.

Vijojnë hetimet për identifikimin dhe për arrestimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.