Sport Starton sot Seria A, Inter dhe Milan (ndoshta dhe Juve) kërkojnë t’i...

Starton sot Seria A, Inter dhe Milan (ndoshta dhe Juve) kërkojnë t’i rrëmbejë fronin Napolit kampion

Napoli fillon sot mbrojtjen e titullit

Fillon sot kampionati italian, apo Seria A, siç njihet nga të gjithë. Luhen 4 ndeshjet e para të javës së parë, ku nga skuadrat kryesore do të zbresin në fushë Napoli kampion në fuqi dhe Interi.

Napoli, pas atij kampionati të jashtëzakonshëm që bëri sezonin e shkuar, vjen tashmë pa trajnerin Spaleti, i cili ka marrë drejtimin e kombëtares së Italisë. Kampionët kanë humbur gjithashtu edhe mbrojtësn Kim Jae, ndërkohë që kanë rezistuar ndaj ofertave arabe për Osimhen. Rrahmani me shokë e nisin këtë kampionat në fushën e Frozinones, ku shkojnë pa gjeorgjianin Kvaratshkhelia të dëmtuar.

Interi dhe Milani konsiderohen si dy rivalët më të fortë në letër për Napolin, duke iu referuar merkatos. Ekipi zikaltër vjen me pak ndryshime këtë sezon, mbi të gjitha pa Romelu Lukakun dhe Brozovic. Skuadra e Simone Inzagit e nis kampionatin në fushën e vet, ku pret Moncën.

Milani, që ndeshjen hapëse e luan të hënën në fushën e Bolonjës, ka bërë shumë ndryshime. Këtë verë kuqezinjtë kanë shpenzuar më shumë, duke afruar lojtarë si Pulisiç, Loftus Çik, Okafor, Musah e të tjerë, por në anën tjetër kanë humbur një titullar shumë të rëndësishëm si Sandro Tonali.

Juventusi ka mbetur pak prapa, pasi nuk ka mundur të afrojë lojtarët që dëshironte në merkato. Klubi bardhezi duhej të shiste më parë, por nuk gjeti blerësit e duhur as për Vlahoviç dhe as për Kiezën. Vetëm një ditë para startit të kampionatit, ka rënë poshtë edhe pista Berardi për trajnerin Alegri, që kërkon me çdo kusht Lukakun në skuadër. Ndeshjen e parë Juventusi e luan në fushën e Udinezes.

Pastaj janë Roma dhe Lacio, që nga specialistët duket se mbeten jashtë 4-shes së parë, por asnjëherë nuk mund të nënvlerësohen, sidomos skuadra e Mourinjos.