Sport Inter Miami fiton trofeun e parë në histori. Messi bëhet lojtari me...

Inter Miami fiton trofeun e parë në histori. Messi bëhet lojtari me më shumë tituj në botë

Lionel Messi fitoi trofeun e parë në tokën amerikane teksa ylli argjentinas ishte protagonist në finalen e Ligës së Kupës për Inter Miamin ndaj Nashville, të fituar me penallti pasi koha e rregullt përfundoi në barazim 1-1.

Ishte pikërisht Kampioni i Botës ai i cili zhbllokoi shifrat në pjesën e parë teksa realizoi një kryevepër në minutën e 23-të.

36-vjeçari shënoi me të majtën në hyrje të zonës kundërshtare dhe e dërgoi topin në trekëndësh për të mos i lënë asnjë mundësi reagimi portierit kundërshtar. Për Messin ishte goli numër 10 në shtatë ndeshje me skuadrën amerikane.

Gjithsesi, Nashville barazoi shifrat në pjesën e dytë me anë të Picault. Rezultati nuk ndryshoi deri në fund dhe për të vendosur fituesin u desh lotaria e penalltive.

Nga 11-metrat, ekipi i Messit ishte më i saktë teksa ishte argjentinasi ai që mori përsipër penalltinë e parë duke realizuar me saktësi.

Pas një maratone të vërtetë penalltish, ishte Inter Miami që fitoi pas 10 penalltive të sakta ndërsa Nashville mbeti në kuotën e nëntë penalltive. Klubi i Beckham iu gëzua trofeut të parë në epokën “Messi”, por edhe të parit në historinë e Inter Miami.

Nga ana tjetër, për argjentinasin ky ishte trofeu i 44 në karrierë, trofe që e shndërron edhe në lojtarin më të titulluar të historisë së futbollit.