Kryeministri Edi Rama ka reaguar sa i takon kërcënimeve të Serbisë ndaj RMV-së dhe Malit të Zi, duke i cilësuar këto të fundit si të rrezikshme e të papranueshme.
Përmes një postimi në rrjetin e tij social Twitter, Rama thotë se dekada e fundit shënon për shtetet e rajonit një moment shumë të rëndësishëm sa i takon sigurisë dhe integritetit territorial, duke theksuar se e shkuara nuk mund të kthehet më.
“Kërcënimet kundër stabilitetit dhe integritetit të Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi janë të rrezikshme dhe të papranueshme. Të mos harrojmë se Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë aleatë të NATO-s plotësisht të përkushtuar ndaj sigurisë dhe integritetit territorial të njëri-tjetrit. Ne kemi arritur në dekadën e fundit në këtë rajon atë që askush nuk mund ta imagjinonte në dekada të pafundme më parë dhe nuk mund dhe nuk do të lejojmë askënd të na tërheqë prapa në të shkuarën që po e lëmë pas përgjithmonë! Së bashku! Evropa e Madhe është e ardhmja jonë e vetme”, shkruan kreu i qeverisë shqiptare.
Threats against the stability and integrity of North Macedonia and Montenegro are dangerous and unacceptable. Let's not forget that Albania, North Macedonia and Montenegro are NATO allies fully dedicated to the security and territorial integrity of one another. We have achieved…
— Edi Rama (@ediramaal) August 21, 2023
Ky reagim nga ana e kryeministrit vjen pas një artikulli të publikuar te “The Geopost” ku thuhet se stabiliteti shtetëror i Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi po cenohet vazhdimisht brenda territorit të tyre nga forcat serbe e pro-serbe.
Ndërsa siç raportojnë mediat në Kosovë, ministri Millosh Vuçeviç ka deklaruar në një televizion kombëtar se Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut mendojnë se duke qenë të anëtarësuara në NATO, “i kanë të zgjidhura të gjitha problemet e tyre.”