Politika Gjykata e la Belerin në burg, ministria e Jashtme greke: Shqipëria po...

Gjykata e la Belerin në burg, ministria e Jashtme greke: Shqipëria po shkel ligjet e së drejtës evropiane

GJKKO vendosi të lërë në burg kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, duke refuzuar këtë të hënë kërkesën e palës mbrojtëse për zbutjen e masës së sigurisë “arrest me burg”.

Pavarësisht pretendimeve të avokatit Edmond Demo se ka pavlefshmëri të disa prej akteve të dosjes hetimore dhe mbajtja në tij e burg ka prapavijë politike, gjyqtarja Fjorela Davidhi vlerësoi se nuk ka ndryshuar asnjë rrethanë ligjore për të diktuar zbutjen e masës.

Lidhur me vendimin e sotëm për Belerin ka reaguar ministria e Punëve të Jashtme greke, duke shprehur indinjatën e Athinës zyrtare ndaj drejtësisë shqiptare.

Në reagim theksi vendoset te fakti që qëndrimi në burg e pengon Belerin të betohet dhe të marrë të drejtën për të ushtruar mandatin e fituar në zgjedhjet e 14 Majit.

“Vendimi i sotëm i gjykatës shqiptare, e cila tre muaj pas arrestimit dhe burgosjes së tij, rrëzon kërkesën për lirimin e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri dhe pengon betimin e tij në përputhje me parimet e shtetit ligjor, prezumimin e pafajësisë dhe respektimin e të drejtave civile të të gjithë qytetarëve është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me ligjet e së drejtës evropiane, të cilat autoritetet shqiptare duhet t’i respektojnë rreptësisht”.