Të dhënat e siguruara nga hetimi tregojnë se zbatimi i kontratës së sterilizimit shkaktoi konflikte mes koncesionarit dhe spitaleve rajonale dhe lokale dhe i ngarkoi këto të fundit me kosto shtesë të faturave të energjisë dhe të ujit, ndërsa ankesat e tyre nuk morën zgjidhje nga Ministria.
Nga Edmond Hoxhaj – BIRN
Më 24 gusht 2018, Spitali Rajonal i Durrësit i shkroi Ministrisë së Shëndetësisë dhe kërkoi ndihmën e saj për “zgjidhjen e problematikës” me koncesionarin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale.
Shërbimi i koncesionarit në Durrës kishte filluar në mars 2018, por drejtuesit e spitalit nuk kishin pasur asnjë informacion lidhur me mënyrën e funksionimit të kësaj kontrate. Pas mbërritjes së kontratës dhe anekseve të saj me email në korrik, Spitali Rajonal i Durrësit kishte vërejtur se instrumentet e përdorura në mikrokirurgji nuk ishin pjesë e kësaj kontrate.
“Duke qenë se kompania në fjalë ka marrë të gjitha ambientet e përdorura më parë për proceset e sterilizimit dhe duke kërkuar heqjen e instrumenteve të përdorura në mikrokirurgji, në këtë repart ka vazhduar aktiviteti duke përdorur setet e mësipërme,” thuhet në shkresën e cituar në vendimin e gjykatës.
Spitali Rajonal i Durrësit informonte më tej se kishte vendosur që ta kryente vetë sterilizimin për pajisjet e mikrokirurgjisë, por druhej se ky veprim mund të sillte kontradikta me koncesionarin, ndaj kërkonte “ndërhyrjen e Autoritetit për zgjidhjen e problematikës”.
Spitali Rajonal i Durrësit nuk ishte i vetmi që pati probleme me zbatimin e kontratës koncesionare që u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë rreth 76 milionë euro deri në fund të vitit 2022.
Të dhënat e siguruara nga vendimi i Gjykatës së Posaçme për kontratën PPP të sterilizimit tregojnë se mosllogaritja e saktë e numrit të ndërhyrjeve kirurgjikale nga komisioni i dhënies së koncesionit ka sjellë tejkalimin e tavaneve buxhetore në favor të kompanisë koncesionare Sani Service, duke e vënë të gjithë sistemin shëndetësor nën presion.
Më 8 gusht 2018, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, u ka kërkuar spitaleve ku ofrohet shërbimi i koncesionit të ndiqen propozimet e dhëna në memo nga grupi i punës. Pesë ditë më vonë, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, FSDKSH i është drejtuar atij, duke e informuar se “financimi i kontatës koncesionare po bëhej i papërballueshëm”.
Ankesat për faturat e energjisë dhe ujit
Hetimet 3-vjeçare të prokurorëve Edvin Kondili dhe Ened Nakuçi e mbyllën rrethin e të akuzuarve me ish-zëvendësministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe anëtarët e komisionit, por gjyqtari Erion Bani arsyetoi se ka indicia se ish-Ministri Ilir Beqaj paracktoi fituesit, nuk ndaloi konfliktin e interesit dhe bëri udhëtime me përfituesit e konçesionit, prej nga ngrihen dyshime dhe për veprën penale të korrupsionit.
Sipas dosjes hetimore, aktiviteti i kompanisë koncesionare, Sani Service u shkaktoi spitaleve publike kosto të shtuara të faturave të energjisë dhe të ujit, duke rënduar gjendjen financiare të tyre.
Këto kosto iu ngarkuan spitaleve publike gjatë procesit të negocimit të kontratës koncesionare, sipas gjykatës në shkelje të studimit të fizibilitetit dhe planit të biznesit të koncesionarit.
Përveç problemeve me instrumentet e mikrokirurgjisë, në spitalin rajonal të Durrësit ka pasur konflikte edhe për operimin e centralit të sterilizimit dhe faturat e energjisë dhe të ujit.
Spitali i Durrësit ka njoftuar Ministrinë e Shëndetësisë se SaniService kryente aktivitetin e tij prodhues pa pagesë qiraje dhe pa paguar konsumin e energjisë elektrike dhe të ujit që shërbejnë për funksionimin e procesit produktiv të centralit të sterilizimit, në kundërshtim me projektin teknik të kontratës. Operatori koncesionar ka refuzuar gjithashtu një kërkesë të Spitalit Durrës për të instaluar matësit e energjisë elektrike dhe të ujit me qëllim monitorimin e konsumit që rridhte prej aktivitetit të tij.
Në këto kushte, Spitali i Durrës ka instaluar me shpenzimet e veta matësin, prej nga ka rezultuar se konsumi nga operatori ka qenë rreth 550 mijë lekë në muaj, vlerë që është cilësuar e pamundur për t’u përballuar.
Në janar 2019, Ministria e Shëndetësisë ka marrë një kërkesë edhe nga Spitali i Lushnjes për të likujduar kostot e shpenzimeve për energji elektrike dhe ujë që shpenzonte koncesionari.
“Me matës të veçantë, shpenzimet për ujë dhe energji elektrike faturohen në muaj me vlerë 600,000 lekë, ose në vlerë vjetore 7-8 milionë lekë me këtë konsum. Kërkohet ndërhyrje nga Autoriteti Kontraktor për dhënien e fondeve për këto shpenzime,” shkruante asokohe Spitali i Lushnjes.
Në përgjigjen për Spitalin e Lushnjes, Ministria e Shëndetësisë justifikohet se është e detyruar të zbatojë përcaktimet kontraktuale të parashikuara në kontratë.
“Kjo pikë do të negociohet me SaniService, por përsa kohë nuk ka përfunduar ky proces, do të vazhdojnë me të njëjtat kushte,” citohet përgjigja e Ministrisë në vendim.
Faturimi i energjisë dhe ujit në kurriz të spitaleve publike është vlerësuar si favorizim për kompaninë koncesionare dhe dëm ekonomik edhe gjatë një auditi të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Sipas raportit, ky problem nuk u amendua në kontratë pas negociatave të kryera nga Ministria e Shëndetësisë me kompaninë koncesionare, duke vazhduar në të njëjtën gjendje.
Kostot e sterilizimit
Në fund të vitit 2018, rritja e kostove të procesit të sterilizimit përtej parashikimeve buxhetore në kontratë ka shkaktuar dhimbje të shtuara koke për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
Kjo i ka detyruar spitalet që të nxjerrin në punë autoklavat e vjetra për të mbajtur nën kontroll kostot, por kjo ka shkaktuar konflikte shtesë me kompaninë koncesionare.
Më 18 tetor 2018, spitali “Shefqet Ndroqi” iu drejtua Ministrisë së Shëndetësisë, ku i kujton se në takimet e kryera më parë për problemet e shfaqura pas mbërritjes së koncesionarit, është këmbëngulur për përdorimin e burimeve të brendshme të vetë strukturës për sterilizimin me atoklavë.
Gjithashtu, drejtuesit e spitalit “Shefqet Ndroqi” e kanë njoftuar Ministrinë se në takimet me SaniService, këta të fundit kanë pretenduar se përdorimi i autoklavës me avull për sterilizim të paketimeve të mjekimit me temperaturë të ulët ‘konsiderohet shkelje e kontratës së koncesionit”.
“Kërkohet konfirmim ose jo të sterilizimit të paketimit të mjekimit me autoklavë me avull të vetë institucionit,” shkruante spitali “Shefqet Ndroqi”.
Edhe kompania koncesionare është ankuar në Ministrinë e Shëndetësisë se disa prej spitaleve publike nuk e marrin shërbimin e seteve të personalizuara për disa prej ndërhyrjeve që konsiderohen si mikrokirurgji.
“Në disa spitale nuk rezulton përdorimi i rregullt i seteve kirurgjikale të vendosura në dispozicion sipas kontratës koncesionare. Kërkohet ndërhyrja e MSHMS për verifikimin e shkaqeve që sjellin mospërdorimin e setit të personalizuar,” citohet në vendim letra e kompanisë SaniService.
Edhe QSUT i ka kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë që të lejojë sterilizimin e seteve kirurgjikale që disponohen nga vetë shërbimet për t’u përdorur si paketime të mjekimit të plagëve për pacientët që paraqiten në urgjencë.
Por, ministria i ka kthyer përgjigje duke thekusar se shërbimi i sterilizimit të seteve kirurgjikale është një nga shërbimet që ofron koncesionari SaniService.
Gjykata thekson se kërkesat e spitaleve për përdorimin e seteve të vjetra me qëllim përballimin e numrit në rritje të ndërhyrjeve kirurgjikale, nuk kanë marrë një përgjigje të saktë nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, e cila u ka kërkuar vetëm që të mos kalohet numri i ndërhyrjeve dhe buxheti.
“Nuk janë marrë masat nga Autoriteti Kontraktor për zgjidhjen e problematikave dhe në shumicën e rasteve, janë lënë pa përgjigje kërkesat e spitaleve…,” thuhet në vendimin e Gjykatës.
Kërkesat e spitaleve nuk janë reflektuar gjithashtu në negociatat e Ministrisë së Shëndetësisë me kompaninë koncesionare dhe sipas vendimit të gjykatës, nuk kanë qenë pjesë e amendimit të kontratës.