Kryesore Berisha zbulon se çfarë i tha Edi Ramës në vitin 2013 kur...

Berisha zbulon se çfarë i tha Edi Ramës në vitin 2013 kur mori pushtetin

Në tryezën e debatit “Pushteti i Krimit” të organizuar nga Partia Demokratike, Sali Berisha ka akuzuar Qeverinë “Rama” për lidhje me bandat e krimit të organizuar.

Në fjalën e tij në këtë tryezë, Berisha zbuloi edhe një bisedë të tij me Edi Ramën në vitin 2013, kur socialistët morën pushtetin.

“Në vitin 2013, me ndërrimin e pushtetit, ditën e inaugurimit të qeverisë, i jam drejtuar Edi Ramës me këto fjalë: Lidhjet tua me krimin janë universale dhe universalisht të njohur. Shqiptarët të amnistuan se të votuan. Por fati i kësaj shoqërie do varet nga lidhjet që do mbash me krimin. Do i presësh ato apo do i vazhdosh ato. Nëse i vazhdon ato, duke qenë kryeministër, kjo do jetë katastrofë për shqiptarët. Kur i thashë Edi Ramës se lidhjet e tua me krimin janë universale, i thashë atij një të vërtetë sepse ai, në të shumta raste, ishte i vetmi kryetar bashkie në botë, që në vend të mbrohej nga garda, merrte vrasës dhe trafikantë si mburojë. Madje për të zyrtarizuar çdo gjë, bëra edhe një vendim të Këshillit të Ministrave, ku kryetarin e Bashkisë së Tiranës e vendosa në një trajtim më të mirë se ministrat, se në atë kohë ministrat nuk kishin mbrojtje nga garda”.

Kryedemokrati shprehet se sot shoqëria shqiptare ndodhet në prag të vetëvrasjes për shkak të përhapjes së krimit.

“Koha provoi se pas 10 vitesh, për shkak të përhapjes së tmerrshme, ortakërisë të ngushtë, shoqëria shqiptare ndodhet në prag të një vetëvrasje për shkak të krimit. Sot, vendimmarrësi absolut në distancë në këtë vend është krimi, krimi, krimi. Krimi sot, i lartësuar në pushtet në nivel kryeministri, është i aftë të kalojë në parlament çdo ligj. Është i aftë të marrë në qeveri çdo vendim, është i aftë të përcaktojë çdo tender, është i aftë të përcaktojë çdo emërim, është i aftë të nxjerrë çdo leje dhe licencë, është i aftë të eliminojë çdo kundërshtar. Sot, shqiptarët, si kurrë në historinë e tyre, që kur është themeluar shteti, fëmijët e tyre, qenia e tyre, ekonomia e tyre, është e tëra në duart e krimit”.