Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se nafta në Shpirag është e një cilësie të lartë, e njëjtë me atë të naftës Premium të Arabisë Saudite. Në konferencën për mediat, kreu i qeverisë bëri me dije se investimi do të nisë me 3 mld euro dhe do të përfundojë me 7 mld euro.
“Nafta e zbuluar në Shpirag është një naftë e të njëjtës cilësi është e njëjtë me atë Premium të Arabisë Saudite. Investimi i parashikuar dhe projekti që do të realizohet nga kompania nis me 3 miliardë euro dhe projeksioni është që deri në përfundim të të gjithë infrastrukturës së nevojshme, është 7 miliardë euro investim në vendin tonë. Që parashikon ndërtimin e infrastrukturës dhe depozitimin e rezervës, ndarjen në gaz, naftë dhe sulfur dhe kjo e treta ka një rendësi të veçantë”, tha Rama.
Megjithatë, Rama tha se kërkimet në Shpirag nuk janë të vetmet. Ai tha se ka nisur puna edhe nga kompania e madhe italiane “Eni” në zonën e Dumresë. Edhe në këtë rast, Rama theksoi se të dhënat janë inkurajuese, por jo në të njëjtin nivel si në Shpirag.
“Ka filluar eksplorimi i fushës së Dumresë, ku një tjetër kolos, kompania italiane Eni është në punë, dhe aty kemi të dhëna inkurajuese, por puna është në një stad më fillestar sepse kompania hyri në punë para pandemisë, por pandemia solli një bllokim të gjatë të procesit”, përfundoi Rama.
Pas gërmimeve në 6002 metra në thellësi të tokës në Shpirag, është prekur një rezervë e madhe gazi e nafte e cilësisë më të lartë. Testi përfundimtar pritet të nisë në tetor të këtij viti, e ndërsa për kreun e qeverisë nëse gjithçka rezulton e suksesshme, atëherë do të shënohet një pikë kthese për jetën ekonomike të vendit. Ai tha se do të ndikojë në çdo hallkë të shoqërisë.
“Përfitimi ekonomik dhe financiar nga kjo pasuri do të ndikojë te pensionet, bilanci i pagesave, do të ndikojë në sistemin e arsimit, shëndetësisë dhe mirëqenien e fëmijëve tanë, sepse ata do të jenë përfituesit më të mëdhenj, nëse ne do ndërtojmë si duhet një fond sovran dhe serioz”, përfundoi ai.
Aktualisht aktiviteti i punës në kantier është përqendruar në vlerësimin e pusit Shpirag 5, si pjesë e Programit Vlerësues të Bllokut 2/3.