Aktualitet Aksidenti te diga e liqenit, Policia: Shofer i BMW-së ishte Emiliano Nina....

Aksidenti te diga e liqenit, Policia: Shofer i BMW-së ishte Emiliano Nina. Eldi Allushi dha dëshmi të rreme

Shoferi i fuoristradës BMW X6 që përfundoi mbi digën e Liqenit Artificial në Tiranë për shkak të shpejtësisë ishte Emiliano Nina dhe jo 26-vjeçari Eldi Allushi.

Policia e Tiranës ka zbardhur ngjarjen dhe ka identifikuar 28-vjeçarin Emiliano Nina si shofer të mjetit, i cili është shpallur në kërkim pasi u largua nga vendngjarja pas aksidentit.

Nina akuzohet për “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”, “Largimi nga vendi i aksidentit”, “Shkatërrimi i pronës”, “Moskallëzimi i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Ai ka qenë në makinë edhe me dy persona të tjerë, Eldi Allushin që u mendua se ishte shoferi dhe me një 25-vjeçar me iniciale J.A.

Allushi është pronari i automjetit BMW X6 dhe është arrestuar për veprat penale “Moskllëzimi i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.

Ndërsa personi i tretë, 25-vjeçari J.A. është proceduar në gjendje të lirë për moskallëzim krimi.

NJOFTIMI I POLICISË SË TIRANËS:

Specialistët e Qarkullimit Rrugor, në vijim të veprimeve procedurale për aksidentin e ndodhur rreth orës 05:15, të datës 22.08.2023, në Rrugën e Kosovarëve, kanë arrestuar shtetasin:

-E. A., 26 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Moskllëzimi i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”;

-kanë referuar materialet në Prokurori ku ka nisur procedimi në gjendje të të lirë për shtetasin J. A., 25 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”;

– kanë shpallur në kërkim shtetasin E. N., 28 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”, “Largimi nga vendi i aksidentit”, “Shkatërrimi i pronës”, “Moskallëzimi i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi E. N., duke drejtuar automjetin “BMW”, në pronësi të shtetasi E. A., për shkak të shpejtësisë shumë të lartë, ka humbur kontrollin, për pasojë automjeti ka dalë nga rruga dhe është përplasur me bordurën anësore, te Liqeni Artificial. Pasagjer në këtë automjet ka qenë shtetasi J. A., i cili pas aksidentit, është larguar bashkë me drejtuesin e automjetit.

Shtetasi E. A. ka përkrahur drejtuesin e automjetit dhe ka penguar në zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, duke dhënë dëshmi të rreme në lidhje me rrethanat e aksidentit.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një shkop bejsbolli që është gjetur në banesën e shtetasit E. N. Policia vijon kontrollet për kapjen dhe arrestimin e këtij shtetasi.