Bota “Qielli nuk është kufiri”, ulet me sukses në Hënë anija kozmike e...

“Qielli nuk është kufiri”, ulet me sukses në Hënë anija kozmike e Indisë

India shkruan historinë duke ulur për herë të parë në Hënë një anije kozmike dhe duke u bërë shteti i katërt në botë pas SHBA-së, Bashkimit Sovjetik në atë kohë dhe Kinës.

Anija kozmike indiane “Chandrayaan-3” preku sipërfaqen e Hënës me sukses duke u ulur pranë polit jugor. Një robot i specializuar do të kërkojë për ujë në këtë anë të Hënës.

Kryeministri indian, Narendra Modi, pas uljes së anijes kozmike në Hënë, iu adresua dhomës së kontrollit të anijes kozmike dhe u shfaq i buzëqeshur dhe me flamurin indian në duar.

“Qielli nuk është kufiri. India tani është në Hënë”, tha Kryeministri Modi.

Modi tha se suksesi i Indisë është i të gjitha vendeve dhe i njerëzimit.

“Ne të gjithë mund të aspirojmë për në Hënë dhe për më gjerë”, tha Kryeministri indian, duke inkurajuar shtetet e tjera që të nisin misione të tilla të ngjashme.

Javën e kaluar, edhe Rusia nisi një anije kozmike në Hënë me të njëjtin mision për të kërkuar ujë, por anija humbi kontrollin dhe u përplas në sipërfaqen hënore.