Bota Në kërkim të përbindëshit të Loch Ness, gati ekspedita më e madhe...

Në kërkim të përbindëshit të Loch Ness, gati ekspedita më e madhe në 50 vjet

Këtë fundjavë do të zhvillohet ekspedita më e madhe në 50 vjet për përbindëshin e Loch Ness ku do të përdoren pajisjet më të fundit në kërkim të bishës legjendare të Skocisë.

Kanë kaluar 90 vjet që kur dy foto të përbindëshit bënë xhiron e botës dhe gazetat rrëfenin një legjendë 1400-vjeçare. Nuk ka ende prova përfundimtare se përbindëshi ekziston, pavarësisht kërkimeve që kanë vijuar për dekada të tëra. Ndoshta deri më tani.

Eksplorimi i Loch Ness dhe Qendra Loch Ness shpresojnë se këtë fundjavë kjo do të ndryshojë me eksplorimin e ujërave që shtrihen për 23 milje nga Fort Augustus deri në Loch End.

“Pajisje vëzhguese që nuk janë përdorur kurrë më parë në Loch Ness do të shërbejnë për të zbuluar sekretin e ujërave misteriozë”, thuhet në një deklaratë të qendrës. “Dronë termalë që gjenerojnë imazhe termale të ujit nga ajri duke përdorur kamera me rreze infra të kuqe, mund të jenë pikë kyçe për të identifikuar ndonjë anomali misterioze.

“Një hidrofon do të përdoret për të dalluar sinjalet akustike nën ujë që do të dëgjojë për tinguj që mund të vijnë nga përbindëshi, si edhe pajisje të tjera teknologjike për në kërkim të së vërtetës”.

Një grup vullnetarësh do të vëzhgojnë ujin për lëvizje të çuditshme. Një pjesë do mund ta bëjnë këtë nga shtëpia e tyre nëpërmjet kamerave që janë vendosur mbi liqen dhe të raportojnë menjëherë.

“Misioni” është i më i madhi i këtij lloji që prej vitit 1972 kur Byroja e Hetimit të Loch Ness kreu një vëzhgim masiv.