Dy turistë italianë humbën jetën tragjikisht në aksident. Motori me të cilin lëviznin nga Ksamili drejt Sarandës u përplas nga një mjet tip ‘Mercedes Benz’ që drejtohej nga një adoleshent.
Aksidenti u shënua rreth orës 03:00 të ditës së sotme në aksin rrugor Sarandë-Ksamil, në vendin e quajtur “Hidrovor”.
“Benzi”, drejtohej nga një 17-vjeçar që nuk e kishte mbushur moshën për të marrë patentën. Burimet thanë se makina i ka prerë rrugën motorit të turistëve. Për pasojë ndërruan jetë në vend dy turistët italianë. Është identifikuar vetëm njëri prej viktimave me iniciale D. G., 24 vjeç.
Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se ‘Benzi’ lëvizte nga Saranda drejt Ksamilit, por është gjetur në kahun e kundërt, çka dyshohet se i ka prerë rrugën motorin tip ‘Honda’. Përplasja ka qenë tejet e fortë. Dëshmitaret ne orët e para te mëngjesit tregojnë për ngjarje horror. Trupat e viktimave janë gjetur me dëmtime të shumta, poshtë makinës që i përplasi.
Ndërsa 17-vjecari që drejtonte makinën dhe shoku i tij 16 vjeç kanë marrë plagë të lehta dhe po mjekohen në spitalin e Sarandës.