Emiliano Nina 28 vjeç vijon të jetë në kërkim për aksidentin te Liqeni i Tiranës disa ditë më parë, kur automjeti BMW X6 përfundoi mbi digë.
Klan News ka zbardhur deklarimet në polici të dy persona të tjerë të përfshirë në ngjarje, kushërinjve Eldi dhe Jurgen Allushi.
Pronari i mjetit, Eldi Allushi, thotë se nuk ka qenë brenda makinës në momentin e aksidentit, ndërsa mjeti drejtohej nga Emiliano Nina dhe pasagjer ishte kushëriri Jurgen Allushi.
Eldi Allushi ka deklaruar në polici se Emiliano Nina shkoi në banesë dhe fjeti gjumë pas aksidentit.
“Nuk i tregova policisë se nuk doja t’i bëja keq Emilianos. Ai ma kërkoi makinën dy herë për të marrë një shoqe dhe unë ia dhashë. Emiliano pasi erdhi nga aksidenti fjeti gjumë, mua s’më tregoi. Më mori në telefon një oficer policie dhe i thashë që do paraqitem vetë në polici. Për 5 orë nuk u paraqita në polici pasi kisha frikë. Automjetin ma bëri dhuratë xhaxhai im disa kohë më parë”, ka thënë Eldi Allushi.
Në telefon, Eldi Allushi u ka thënë hetuesve se nuk konsumuar alkool, por një cigare hashash pasi ishte në shoqërinë e një vajze. Ky deklarim ka rezultuar alibi për të fshehur të vërtetën e aksidentit.
Ndërsa kushëriri i tij, Jurgen Allushi që ishte pasagjer në mjet, deklaroi se ai kishte konsumuar një ujë, ndërsa Emiliano Nina 3 birra kur ndodhi aksidenti.
Eldi Allushi është i arrestuar nga policia për akuzat se ka penguar zbardhjen e të vërtetës me largimin dhe dëshmitë paraprake, nuk ka kallëzuar krimin dhe ka përkrahur autorin e ngjarjes.
Ndërsa kushëriri i tij Jurgen Allushi po hetohet në gjendje të lirë pasi u largua nga vendngjarja së bashku me shoferin Emiliano Nina. Ky i fundit vijon të jetë në kërkim, i akuzuar për 7 vepra penale./ Klan News