Aktualitet Helmimi i polakëve në Vlorë, AKU kontrolle për salmonelë, 6 mln lekë...

Helmimi i polakëve në Vlorë, AKU kontrolle për salmonelë, 6 mln lekë gjobë anijes turistike

Nga urgjenca e spitalit të Vlorës kanë dalë mëngjesin e sotëm 22 fëmijë nga grupi me 41 turistë polakë, të cilët u paraqitën mbrëmjen e djeshme me simptoma të helmimit nga ushqimi.

E teksa gjendja e tyre shëndetësore është stabilizuar, autoritetet ligjzbatuese kanë nisur të ndërmarrin veprimet e para ligjore për rastin në fjalë.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka ushtruar mbrëmjen e djeshme kontrolle në anijen që bën turin Karaburun-Sazan, me të cilën udhëtuan turistët e helmuar.

Kontrolli i AKU-së në anije ka zgjatur deri në orën 03:00 të mëngjesit. Ekspertët kanë marrë mostra të ushqimit që është konsumuar nga turistët për t’i dërguar për analizë të detajuar në laboratorët qendrorë në Tiranë.

Pritet që përgjigja e tyre të bëhet publike pas 3-4 ditësh, pasi do testohen për salmonela dhe të gjitha shkaqet e tjera që mund të shkaktojnë helmim.

Në krahun tjetër, Drejtoria e Shëndetit Publik ka marrë mostra të feçeve të fëmijëve dhe personave në bord, të cilat po i analizon deri në një përfundim zyrtar për të përcaktuar shkakun nga ka ardhur helmimi.

E konfirmuar është se AKU ka vendosur të ndëshkojë me masë administrative gjobë, në masën 6 milion lekë të vjetra subjektin që operon anijen turistike në fjalë për shkak të “mosplotësimit të kushteve për përgatitjen dhe ruajtjen e ushqimit”.