Pajisja që i mori jetën 17-vjeçarit në Sarandë nuk është ashensor. Është kjo arsyeja që, siç njofton, Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut nuk ka kryer kontrolle në lokalin ku ndodhi ngjarja e rëndë.
Adoleshenti që ishte punësuar si ndihmës/kamarier pranë lokalit që ndodhet në lagjen “Nr.1” të qytetit bregdetar humbi jetën të premten pas shkëputjes së kavos së ashensorit.
Megjithatë, ISHMT njofton sot se pas kryerjes së verifikimeve në terren, pajisja e përshtatur për transport mallrash e cila ka pësuar defekt nuk është ashensor.
Si rrjedhojë, ISHMT nuk ka kompetencës ligjore për kontrolle.
“Në lidhje me aksidentin e ndodhur mbrëmjen e djeshme datë 26.08.2023 në subjektin “Orange”, Sarandë, ku një i ri 17-vjeçar humbi jetën, Inspektorati Shtetëror i Mbikqyrjes së Tregut pasi ka kryer verifikimet në terren, informon se:Pajisja e përshtatur për transport mallrash nga subjekti, e cila ka pësuar defekt nuk është ashensor.Si rrjedhojë, ISHMT nuk ka kryer inspektime apo kontrolle pranë këtij subjekti, bazuar kjo në detyrimin e përputhshmërisë së instalimit të vendosur në shërbim nga personi përgjegjës, pasi nuk është brenda kompetencës ligjore të tij. ISHMT shpreh keqardhje për aksidentin tragjik dhe i shpreh ngushëllime të sinqerta familjes së të riut”, njoftoi ISHMT.
I mituri u zu poshtë nga mjeti transportues, duke marrë plagë që i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme.