Aktualitet Aksidentoi për vdekje dy turistët italianë, adoleshenti pa patentë nga spitali direkt...

Aksidentoi për vdekje dy turistët italianë, adoleshenti pa patentë nga spitali direkt në qeli

Gjykata e Sarandës caktoi burg pa afat për 17-vjeçarin që përplasi për vdekje me makinë dy turistë italianë. Adoleshenti që drejtonte mjetin pa patentë do të transferohet në qelitë e paraburgimit direkt pasi të përfundojë trajtimin mjekësor për plagët që mori nga aksidenti.

17-vjecari që aksidentoi për vdekje dy turistë italianë në Sarandë do të shkojë në qeli direkt pas trajtimit për plagët e marra në aksidentin tragjik.

Adoleshenti u njoh me masën e sigurisë në një seancë që u mbajt në ambientet e Spitalit të Sarandës ku ai ndodhet në kujdes shëndetësore.

Avokati kërkoi një masë më të lehtë sigurie me argumentin është i mitur, student dhe se ngjarja e ka traumatizuar e duhet te qëndrojë pranë familjes.

Por argumentet e parashtruara nga mbrojtësi ligjor i adoleshentit nuk u morën parasysh nga togat e zeza që caktuan “arrest me burg” pa afat.

Ndaj 17-vjeçarit janë ngritur akuzat për, “shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor” me pasoje vdekjen dhe “drejtim i automjeteve në mënyrë te parregullt”.

Aksidenti ku humbën jetën dy turistët italianë ndodhi të orët e para të së enjtes në rrugën Ksamil–Sarandë.

Domenico Gritto 24 vjeç dhe Vicenzo Tizziano 32 vjeç i cili kishte festuar ditëlindjen me pushime në Shqipëri po udhëtonin me një motor, ku u goditën nga makina që drejtohej nga adoleshenti pa leje drejtimi.

Pas ngjarjes së rëndë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit pezulloi nga detyra Shefin e Rrugores në Sarandë dhe kërkoi hetim për të gjithë zinxhirin komandues të Sektorit të Policisë Rrugore në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë.