Kryeministri i Kosovës Albin Kurti nga Forumi Strategjik i Bledit në Slloveni tha se Kosova po bën gjithçka për uljen e tensioneve në rajonin e Ballkanit.
Ai përmendi tërheqjen e një pjese të madhe të policisë së Kosovës në Veri ndërsa theksoi se mezi pret zgjedhjet në komunat në veri të Kosovës.
Kurti replikoi me kryeministren e Serbisë Ana Bërnabiç, e cila tha se Kosova nuk është shtet pasi nuk njihet ndërkombëtarisht dhe se nuk ka normalizim të marrëdhënieve nëse nuk ndodh asociacioni.
“Në fillim më duhet të them që për mua është një vend, nuk ka dy vende. Kosova nuk njihet nga ndërkombëtarët dhe nuk është pjesë e OKB. Dyshoj që të jetë pjesë e BE ndërsa ka 5 vende që nuk e njohin. Normalizimi që është në interes si të serbëve dhe shqiptarëve dhe gjithë rajonit, është në krye të prioriteteve tona. Normalizimi fillon me marrëveshjen e Brukselit e nënshtruar 10 vite më parë”, tha kryeministrja e Serbisë.
Në përgjigje të kësaj deklarate Kurti tha se Serbia nuk ka mundur të shkëputet as nga Millosheviçi as nga Putini ndaj normalizimi me të është i vështirë.
“Ne kemi vënë sanksione kundër Rusisë, Serbia jo. Nuk e distancoi veten as nga Millosheviçi as nga Putini, ndaj nuk është e thjeshtë për ne. Normalizimi me Serbinë është shumë herë më i vështirë”, tha Kurti.