“Kush duhet të sulmojë kë në Ballkanin Perëndimor, që procesi i integrimit të përshpejtohet si për Ukrainën e sulmuar nga Rusia?”.
Ka qenë kjo pyetja e një “batute të errët” (siç e emërtoi vetë Rama), bërë nga kryeministri Edi Rama në Forumin Strategjik të Bled në Slloveni, lidhur me dinamikën e gjithë situatës në Ballkanin Perëndimor dhe procesin e integrimit evropian, i cili prej kohësh është i mbetur në një stanjacion letargjik.
Referuar pjesës se Charles Michel kërkoi që brenda vitit 2030, BE-ja të jetë gati të nisë anëtarësimet e reja në Ballkan, Rama ka kërkuar të mos ketë vetëm leksione, por edhe mbështetje konkrete.
Ndaj, duke bërë shembull situatën e krijuar nga lufta në Ukrainë, e cila ka përshpejtuar procesin për Kievin, Rama ka zgjedhur që përmes batutës, të tregojë se si realisht gjithçka qëndron.
“Kush duhet të sulmojë kë në këtë panel për të marrë anëtarësimin më shpejt me Ukrainën?”, shtroi pyetjen Rama. “Bullgaria mund të sulmojë lehtësisht Maqedoninë e Veriut pa dyshim. Kroacia mund të sulmojë lehtësisht Serbinë. Serbia mund të sulmojë lehtësisht Kosovën. Bosnjë dhe Hercegovina mund të sulmojë veten pa problem. Jam i sigurt se po t’u kërkojmë grekëve të na bëjnë një nder, ata do të na sulmojnë me kënaqësi. Mali i Zi mund të luajë i vdekur në plazh. Kështu që ne të gjithë mund të jemi gati për t’u bashkuar me “trenin” me Ukrainën!”.
Për më tepër, ai vetë e shtoi se mundet të jetë një “batutë e errët”, por fatkeqësisht është e vërtetë.
E gjitha shkaktoi të qeshura në sallë dhe hilaritet, por gjithashtu edhe një siklet në sallë, lidhur me atë që BE realisht duhet të bëjë për rajonin.