Presidenti rus Vladimir Putin nuk ka në plan të marrë pjesë në funeralin e shefit mercenar të Wagner-it, Yevgeny Prigozhin, i cili u vra kur avioni i tij u rrëzua javën e kaluar.
Lajmi u bë i ditur nga agjencitë “AFP” dhe “Reuters”, duke cituar deklaratën e Kremlinit.
Kur u pyet nëse Putin do të merrte pjesë në funeralin e Prigozhin, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov u tha gazetarëve: “Prania e presidentit nuk është parashikuar”.
Peskov tha se Kremlini nuk kishte ndonjë informacion specifik në lidhje me planet e funeralit dhe aranzhimet ishin në dorën e të afërmve.
Një ditë pas rrëzimit, Putin dërgoi ngushëllimet e tij për familjet e të vrarëve dhe tha se ai e njihte Prigozhin për një kohë shumë të gjatë, që nga vitet kaotike të fillimit të viteve 1990.
“Ai ishte një njeri me një fat të vështirë dhe bëri gabime të rënda në jetë”, tha Putin, ndërsa e përshkroi atë si një biznesmen të talentuar.
Avioni privat Embraer Legacy 600 me të cilin Prigozhin po udhëtonte për në Shën Petersburg nga Moska u rrëzua në rajonin Tver në veri të Moskës më 23 gusht me humbjen e të gjithë 10 personave në bord.
Është ende e paqartë se çfarë e shkaktoi rrëzimin e aeroplanit, por fshatarët pranë vendit të përplasjes i thanë agjencisë “Reuters” se dëgjuan një zhurmë dhe më pas panë avionin të rrëzohej në tokë.
Kremlini e ka hedhur poshtë si një “gënjeshtër absolute” sugjerimin e disa politikanëve dhe komentuesve perëndimorë – për të cilat ata nuk kanë dhënë prova – që Putin urdhëroi që Prigozhin të vritet për hakmarrje.
Presidenti amerikan Joe Biden tha javën e kaluar se nuk ishte i befasuar nga vdekja e Prigozhin.
Hetuesit thanë të dielën se testet gjenetike kishin konfirmuar se Prigozhin ishte në mesin e 10 personave të vrarë në aksident.
Gjithashtu në bord ishte Dmitry Utkin, bashkëthemeluesi i Wagner dhe komandanti më i lartë ushtarak i grupit, dhe Valery Chekalov, kreu i logjistikës Wagner.