Massimiliano Allegri ka thyer heshtjen për çështjen e Leonardo Bonucci-t në mikrofonat e “Dazn”, në një intervistë që do të transmetohet e plotë më 31 gusht ku foli edhe për situatën në lidhje me ish-kapitenin e Juventusit.
Bonucci-t iu komunikua disa javë më parë se nuk është në planet teknike të klubit dhe si pasojë do të duhet të largohet, por ish-kapiteni deri tani ka refuzuar, madje ka premtuar edhe betejë ligjore.
“Më vjen keq që përfundoi kështu, por ne ishim të qartë me Leon që në shkurtin e kaluar kur klubi dhe unë folëm disa herë me të duke i thënë se viti i ardhshëm do të ishte një vit në të cilin ai do të vendoste të vazhdonte diku tjetër ose të dilte në pension”, tha Allegri për “Dazn”.
Ish-trajneri i Cagliari dhe Milan vazhdon: “Kur je 35-36 vjeç dhe ke bërë histori te Juventusi, Leo ka luajtur 500 ndeshje dhe madje disa herë ka hyrë në fushë duke çaluar…”, vazhdon Allegri, “ai i ka dhënë shumë Juventusit dhe Juventusi i ka dhënë shumë atij”.
“Ai duhet të marrë një vendim të rëndësishëm për të ardhmen sepse është i ri. Atë që them tani e kam thënë kohë më parë. Është normale, kur një kampion si ai arrin në fund të karrierës së tij, ekziston frika për t’u larguar. Unë nuk isha kampion, kisha një karrierë normale dhe ishte e lehtë për mua të largohesha”.
Ndër çështjet e diskutuara nga Allegri në “Dazn” ishte edhe emërimi i Luciano Spalletti-t si trajner i ri i Italisë.
“Mendoj se Luciano është një nga trajnerët më të mirë që ka në Itali, e dëshmon karriera e tij, por mbi të gjitha mënyra se si i bën skuadrat të luajnë. Dhe mbi të gjitha rezultatet që ka arritur”, u shpreh Allegri.