Kryesore Dinamika e vrasjes në Klajdi Bitrit, hetuesit: Pasi e goditi, algjeriani i...

Dinamika e vrasjes në Klajdi Bitrit, hetuesit: Pasi e goditi, algjeriani i nxori shtizën nga gjoksi dhe shkoi në plazh

Ai thotë se nuk ka qëlluar, se nuk e ka kuptuar se e ka vrarë, se ka marrë armën, një shtizë që përdoret për peshkim, “vetëm për t’u mbrojtur nga ata të tre” dhe se ngjarja ka qenë aksidentale.

Molloul Fatah, 27-vjeçari algjerian i arrestuar për vrasjen e shqiptarit Klajdi Bitri, një punëtor i ri, i cili vdiq i shpuar nga shtiza në rrugët e ngushta që gjarpërojnë pranë fshatit të lashtë mesjetar të parkut Conero, është në dëshpërim.

“Fatah nuk e dinte që e kishte vrarë Klajdin? Sigurisht që e ka ditur, pasi e ka goditur, i ka nxjerrë shtizën nga gjoksi dhe është larguar”, replikon hetuesi që po heton vrasjen në Sirolo, ku të dielën e kaluar një sherr mes shoferëve përfundoi në këtë tragjedi absurde.

Nëse algjeriani ishte në dijeni të krimit, ajo që ndodhi menjëherë më pas është edhe më e habitshme: “Ai ka shkuar në plazh me të dashurën e tij dhe ndoshta ka përdorur edhe pushkën nënujore”. Të njëjtën me të cilin tre orë më parë kishte vrarë 23-vjeçarin që ndërhyri për të shuar sherrin e ndodhur pranë një rrethrrotullimi për një arsye shumë banale: ngadalësimin e një makine.

Dinamika e historisë u rindërtua nga karabinierët e kompanisë Osimo, nga ata të hetuesisë dhe të provincës.

Janë tre makina: e para është një familje me një grua në timon; në të dytën, një “Opel Astra”, janë Fatah dhe e dashura me të cilën jeton në Jesi; në të tretën, një “Mercedes” me targa belge, dy vëllezërit Bitri dhe një i ri i tretë në timon, miq të familjes.

Ndodh që gruaja ngadalëson shpejtësinë se nuk e di rrugën, ndërkohë Fatah të fillojë të shfaqë nervozizëm dhe burri i zonjës i thotë disa fjalë të tepërta.

Dalin të dy që të zihen, ndërsa Klajdi përpiqet t’i ndalojë i ndjekur nga i vëllai dhe djali tjetër. Deri tani të gjithë dëshmitarët janë dakord. Për atë që do të ndodhë më pas, jo.

“E mora pushkën për t’u mbrojtur”, thotë Fatah. “Nuk është e vërtetë, ai e qëlloi Klajdin”, thotë vëllai i viktimës.

“Algjeriani e ka goditur me shqelma dhe grushte burrin tim, – tha gruaja në makinën e parë. – Tre shokët tanë vrapuan për ta mbrojtur dhe kur i pa përballë, algjeriani hapi bagazhin, nxori pushkën dhe qëlloi Klajdin. Në mes të gjoksit”.

Hetuesit duket se besojnë më shumë versionin e fundit. “Kam hapur një dosje për vrasje me dashje të rënduar për motive të dobëta”, – përmblodhi prokurorja e Ankonës, Monica Garulli, e cila urdhëroi autopsinë e trupit të Klajdit për këtë të martë.

Kush ishte Klajdi? “Njeri i mirë, punonte në kantieret e Ankonës si punëtor dhe luante me ne, kishte ardhur 5 vite më parë dhe kishte sjellë vëllain dhe të fejuarën”, kujton Pali Gjeçko, përfaqësues i komunitetit shqiptar në Marke dhe një pikë reference për Nuova Aquila, skuadra multietnike e futbollit e kategorisë së tretë që ka stemën e flamurit shqiptar.

Luante në mesfushë, i shpejtë, teknikë e mirë, e bënte për t’u zbavitur për të të qenë me ne, sepse besonte në projektin tonë të integrimit, kjo është një tragjedi e pamasë”, thotë i zemëruar trajneri i tij, Taieb Ferjani.

Vrasësi, pa këmishë dhe me fytyrë për tokë, ishte i dëshpëruar: “Jo, jo, nuk e vrava”, bërtiti kur e bllokuan agjentët e policisë.

“Ku është pushka?” – pyetën karabinierët të dashurën që ishte aty. Dhe ajo tregoi një çantë në tokë, afër Fatahut./Corriere della Sera