Antonio Cassano nuk përdor diplomacinë në atë që thotë së fundmi në lidhje me dy klubet e kryeqytetit, Roma dhe Lazio. Ish-futbollisti vendos nën akuzë trajnerin Jose Mourinho dhe trajnerin Maurizio Sarri. Për të parin shprehet se është mjaft i zoti për të larguar përgjegjësitë nga vetja ndërsa për Sarrin thekson se bëri një idiotësi duke larguar nga detyra drejtorin sportiv, Igli Tare.
“Nuk e kuptoj objektivin e Mourinhos, do të më pëlqente ta takoja. E heq gjithnjë përgjegjësinë nga vetja dhe e kalon atë tek klubi. Mourinhos i pëlqen të bëjë filma, thotë se ka një skuadër për vendin e pestë, gjashtë, shtatë apo tetë. Por, nuk është kjo e vërteta nëse shohim organikën e Romës dhe shifrat që ka shpenzuar këtë merkato.
Klubi ka transferuar lojtarët që kërkoi Mourinho. Nëse këtë verë do t’i ishte ofruar një skuadër më e rëndësishme se Roma do të ishte larguar pa e menduar dy herë. Ai mendon se ka bërë mrekulli me Romën, por unë nuk shoh asnjë mrekulli. Objektivi i Romës duhet të jetë titulli kampion.
Lazio? Mendoj se këtë sezon do të vuajnë shumë, por ajo që e shpëton skuadrën është loja e Maurizio Sarrit. Një lojë të cilën Roma nuk e ka. Por, edhe Sarri një idiotësi e ka bërë. Pas 18 vitesh detyroi Taren të largohej nga klubi, e bëri vetë merkaton këtë verë dhe ajo ishte katastrofë”, tha Cassano.