Politika Veliaj bën rotacion brenda bashkisë, ndryshon disa drejtues (Emrat)

Veliaj bën rotacion brenda bashkisë, ndryshon disa drejtues (Emrat)

Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, pas rizgjedhjes për një mandat të tretë qeverisës të kryeqytetit më 14 maj, ka filluar të mendojë edhe për rotacione të brendshme brenda dikastereve, në nivel drejtuesish.

Albanian Post, ka mësuar se me mbylljen e gushtit, disa role kanë ndryshuar, duke filluar nga nënkryetarja e Bashkisë, Anisa Ruseti, e cila tashmë do të drejtojë Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit.

E gjithë agjencia ndërkaq ka kaluar një rinovim tërësor, duke ndërruar edhe godinën e saj, e zhvendosur në zonën pas Ambasadës Gjermane.

Erinda Fino ndërkohë, ish-drejtuese tashmë e APR-së, mësohet se do të drejtojë agjencinë e parkimit, Tirana Parking, rol të cilin e mbante më parë Eglantina Zere. Agjencia po ashtu është pjesë e Bashkisë Tiranë.

Erind Bejko, nga drejtues i Drejtorisë së Objekteve në Bashkëpronësi, do të kalojë në administrimin e njërës prej drejtorive për kryeqytetin.

Pozitën e tij, do ta marrë Arlinda Binjaku, e cila ka qenë drejtuese e Drejtorisë së Përgjithshme të Pastrimit dhe Gjelbërimit.

Nuk dihet ende ndërkaq nëse ndryshime të tjera do të ketë mes drejtorive dhe drejtuesve të tyre, por nga sa bie në sy, situata është e tillë ku nuk ka pasur shkarkime, por vetëm ndryshime mes funksionarëve.

Burimi: Albanian Post