Një 21-vjeçar është arrestuar nga Policia e Sarandës pasi u kap duke shpërndarë kokainë në lokalet e natës në Ksamil dhe Sarandë. Arrestimi i tij u bë në aksin rrugor “Sarandë – Ksamil”, pranë gjirit të Hartës dhe së bashku me të u arrestua edhe një pasagjer në makinë i cili kishte dijeni për veprimtarinë e të riut. Policia ka sekuestruar një armë zjarri pistoletë, një sasi të konsiderueshme parash, e përfituar nga shitja e lëndëve narkotike, një sasi dozash kokaine, një armë gjahu dhe municion luftarak.
Njoftimi i Policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në vijim të punës për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë sezonit veror, të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj paligjshmërive, bazuar në inteligjencën policore se një shtetas qarkullonte me automjet, i armatosur, dhe shpërndante lëndë narkotike, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Narkotikëve, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Koordinatat”.
Gjatë operacionit, në aksin rrugor “Sarandë – Ksamil”, pranë gjirit të Hartës, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar automjetin e dyshuar tip “Benz”dhe kanë ndërhyrë për ta bllokuar.
Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale nga shërbimet e Policisë, u bë bllokimi i automjetit, kapja në flagrancë e drejtuesit, shtetasit A. D., 21 vjeç, banues në Rusan, Delvinë, dhe e pasagjerit, shtetasit A. B., 22 vjeç, banues në Sarandë.
Gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit A. D. dhe kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë me municion luftarak, një sasi dozash kokaine dhe një shumë të konsiderueshme parash (3 180 euro dhe 45 000 lekë).
Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit A. D., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë gjahu të cilën ky shtetas e mbante pa leje, si dhe 460 fishekë luftarakë.
Nga veprimet hetimore dhe nga informacionet e siguruara nga inteligjenca policore rezulton se 21-vjeçari shpërndante lëndë narkotike kokainë, në Sarandë dhe në Ksamil, kryesisht në lokalet e natës, ndërsa 22-vjeçari ka patur dijeni për veprimtaritë e tij kriminale, por nuk ka kallëzuar në Polici.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.