SPAK ka nisur hetimin pasuror për të arrestuarit e operacionit “Metamorfoza”.
Mes personave ndaj të cilëve po bëhet hetim pasuror janë biznesmeni Pëllumb Gjoka, ish-drejtuesi i Forcës Operacionale Oltion Bistri dhe ish-kryeprokurori i Kukësit Xhevahir Lita.
Në ‘sitë’ janë vënë prona të luajtshme dhe të paluajtshme, automjete, banesa, biznese, llogari bankare etj. Qëllimi i hetimeve ka të bëjë me zbulimin e të ardhurave për të siguruar këto të mira materiale dhe nëse kanë burime të ligjshme. Ky hetim po ndiqet nga dy prokurorët Altin Dumani dhe Arben Kraja.
Ndërkohë, në Gjykatën e Posaçme të Apelit u zhvillua dje një seancë me dyer të mbyllura ku është diskutuar lidhur me masat e sigurisë të të arrestuarve, nëse hetimi i tyre duhet të vijojë teksa ata ndodhen në qeli.
Kjo dosje është komplekse sepse veç të arrestuarve, 9 persona janë ende në kërkim dhe akuzat janë tepër të rënda.
Dosja lidhet me vrasjen e Gjin Boriçit në Shkodër, plagosjen e Taulant Pepajt, po në këtë qytet si dhe 3 plane atentatesh të parealizuara.