Kryesore A ka pasur kërcënime ndaj Dumanit? Balla: Sigurinë ekstra ia ofruam vetë

A ka pasur kërcënime ndaj Dumanit? Balla: Sigurinë ekstra ia ofruam vetë

Shtimi i sigurisë fizike për kreun e SPAK, Altin Dumani është bërë me iniciativë të Policisë së shtetit. Kjo sipas ministrit të Brendshëm, Taulant Balla.

I pyetur se a ka pasur kërcënime ndaj kreut të SPAK Altin Dumani, Balla e mohoi duke shtuar se Policia e Shtetit ka gjithë vëmendjen ndaj sigurisë së tij. Balla tha se ishte ai vetë që ka komunikuar me drejtorin e Policisë së Shtetit për të vendosur kontakte me Dumanin në mënyrë që nga Policia e Shtetit të ofrohet siguri maksimale.

Balla theksoi, se me aq sa ishte i informuar ai për çështjen, nuk ka pasur asnjë kërkesë nga ana e SPAK, që drejtuesit të saj t’i shtohet siguria fizike.

Pyetje: A ka ndryshuar plani i mbrojtjes fizike të kreut të SPAK dhe nëse po a ka patur kërcënime ndaj zotit Dumani?

Balla: Nuk dua që të hidhet diçka në media dhe pastaj kjo gjë bëhet pjesë e lajmit të ditës dhe të vrapojmë për të sqaruar…E vërteta është ndryshe dhe dua të garantoj jo vetëm prokurorët, gjyqtarët e SPAK, por çdo qytetar që Policia e Shtetit është në detyrë për të garantuar që çdokush të jetë i sigurt. Kam komunikuar me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit duke i kërkuar që të marrë kontakt me zotin Dumani që Policia e Shtetit do të bëjë detyrën, kemi përgjegjësinë maksimale për të garantuar sigurinë publike të çdo zyrtari që me punën e vet zbaton ligjin dhe të jeni të sigurt që nuk do mungojë në asnjë moment vëmendja apo kujdesi, edhe nëse do të ketë…Unë nuk jam informuar deri më tani që ka një kërkesë apo problematikë për atë që ju po thoni.

Pyetje: A keni komunikuar ju me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë për të marrë masa shtesë për sigurinë e Dumanit?

Balla: Kur jemi këtu të paktën, mos na e deformoni atë që thashë. Në çdo rast e dimë që pjesa më e madhe e lajmeve nuk janë të vërteta, në vlerësimin tim pas komunikimit me Rrumbullakun rezulton se lajmi juaj është i pavërtetë.