Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka komunikuar këtë të mërkurë për gazetarët vendimet e marra në Këshillin e Ministrave.
Duke nisur nga mesi i shtatorit, punonjësit e Policisë së Shtetit do të mund të marrin kredi me interes zero. Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave.
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla deklaroi për mediat se kushtet për t’u trajtuar me këtë kredi janë që të mos kesh banesë tjetër në pronësi dhe të jesh deri në 40 vjeç.
Po ashtu, Balla bëri të ditur se për punonjësit e Gardës së Republikës, që për shkak të detyrës detyrohen të ndryshojnë qytetin ku jetojnë, do të mbulohen shpenzimet e qirasë.
Sipas tij, janë 900 punonjës të policisë që kanë problematika me strehimin.
“100 familjet e para mund t’i sigurojmë deri në fund të vitit 2023. Në vitin 2024, 300 familje të tjera dhe në 2025 shpresojmë të përmbyllet e gjitha fasha.”
Balla bëri po ashtu të ditur se së shpejti do të aplikohet një paketë e re sigurie në shkolla.
“Në Këshillin e Ministrave është marrë një vendim: kredi me interes 0% për punonjësit e Policisë së Shtetit, dua t’i garantoj që secili që ka krijuar një familje të re, deri në moshën 40 vjeç, pas pak ditësh për shkak se duhet të ngrihet formati i aplikimit në e-Albania, maksimumi deri më 25 Shtator do jetë gati, menjëherë të aplikojnë nëse i plotësojnë këto kritere lidhur me moshën apo mospasjen e një banese tjetër. Janë rreth 900 punonjës që kanë problematika me strehimin, brenda 4 muajve do të trajtojmë 100 familjet e para, më pas 300 familje të tjera vitin e ardhshëm dhe gjatë 2025-ës do të përmbyllet e gjithë fasha e 900 familjeve. Një nga objektivat e kam thënë që ditën e parë që kam marrë detyrën është trajtimi i duhur dinjitoz i punonjësve të Policisë së Shtetit dhe çdo ushtaraku të Forcave të Armatosura, do vazhdojmë ta kemi objektiv themelor dhe besoj që para festave të fundvitit do kem mundësinë t’i vizitoj në banesat e tyre të reja.”