Zbulohen prapaskenat e takimit mes trajnerit të ri të PSG-së dhe mesfushorit italian. Presion për ta detyruar lojtarin që të pranojë ofertën e Al Ahli, për të shpejtuar më pas për blerjen e sulmuesit Kolo Muani.
Ishte i qartë, por edhe shumë i ashpër Luis Enrique, kur i ka shpjeguar Marco Verratit se për të nuk ka më vend te PSG. Sipas ‘Le Parisien’, trajneri spanjoll, në praninë e drejtorit sportiv Luis Campos, i ka thënë lojtarit italian: “Me mua nuk do të luash kurrë”.
Një situatë absurde, sepse Verrati ka marrë pjesë në turneun aziatik, ndryshe nga lojtarët që ishin jashtë planeve dhe Kylian Mbappé, që në atë kohë kishte përplasje me klubin për kontratën. Verrati në fakt që në maj po mendon largimin nga PSG dhe po vlerëson alternativat, por është stërvitur rregullisht me skuadrën.
Luis Enrique ka kaluar nga fjalët te faktet dhe nuk e ka grumbulluar për ndeshjet e kampionatit. Një mënyrë për të mos krijuar rreziqe të kota, duke parë që për lojtarin ka interes nga klube të ndryshme. I pari ishte Al Hilal, që i afronte trefishin e pagës lojtarit, por oferta për PSG-në nuk ka qenë e mjaftueshme.
Në lojë u fut më pas Al Ahli, që tani duhet të lirojë një vend për të huajt në ekip. Për momentin oferta nuk ka shkuar më shumë se 45 milionë euro për kartonin e mesfushorit.
Por sipas informacioneve të “RMC Sport”, Verratti është duke finalizuar transferimin e tij te Al Arabi, një skuadër e Katarit, pasi Al Hilal, me të cilin kishte një marrëveshje në parim, nuk ka arritur pretendimet e PSG për ta shitur atë.
Oferta e Al Arabi, e mirë ekonomikisht, shkon në 45 milionë euro. Edhe pse PSG-ja nuk ishte e gatshme ta linte Verratti-n të largohej për më pak se 60 milionë, negociatat i kanë lehtësuar marrëdhëniet e shkëlqyera mes Katarit dhe klubit kryeqytetas, të drejtuar pikërisht nga Emiri i Gadishullit Arabik, ndërkohë që kushëriri i tij është pronar i PSG-së.